Tiranë, 2 Dhjetor NOA Update - Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani kundërshtoi sot procedurën e transferimit të gjyqtarëve të kryer sipas tij, pa pëlqimin e tyre.
Kjo procedurë, sikundër vlerëson Nishani, është e pabazuar në ligj dhe në kundërshtim me Kushtetutën.
Për ministrinë e Drejtësisë, kjo procedurë cënon parimin e patundshmërisë së gjyqtarit.
Pas debatit KLD pranoi këtë propozim të ministrit si dhe vendosi të mos ketë transferim pa pëlqimin e gjyqtarëve.
Nga ana tjetër, KLD vendosi të shpallë dhe vendet vakante në të gjitha gjykatat e rretheve gjyqësore.
Sakaq, në mbledhjen e sotme, KLD hodhi poshtë propozimin e Ministrit të Drejtësisë për procedimin disiplinor të Manjola Bejlerit.
Ndaj Bejlerit, kryetare e Shoqatës së Gjyqtarëve, ishte konstatuar një shkelje e rëndë për shkak të refuzimit të saj për të shqyrtuar një çështje gjyqësore prej 9 muajsh.
Vetë KLD kishte konstatuar këtë shkelje dhe i kishte kërkuar Ministrit të Drejtësisë fillimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtares.
Sot gjatë shqyrtimit të propozimit të Ministrit nënkryetari i KLD-së Kreshnik Spahiu dhe disa anëtarë të tjerë votuan kundër në shumicë për marrjen e masës disiplinore ndaj kësaj gjyqtareje megjithëse inspektimi ishte kryer nga KLD-ja.
e.r/a.d/NOA