English

Meta u tregon përfaqësuesve të OSBE-së hapat e qeverisë për të risjellë opozitën në Kuvend

Athinë, 2 dhjetor NOA - Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta u takua sot me Ministrin e Punëve të Jashtme të Federatës Ruse, Sergei Lavrov, gjatë Këshillit Ministerial të OSBE që po zhvillohet në Athinë.

Gjatë këtij takimi u shkëmbyen mendime mbi zhvillimet në rajon dhe u diskutua mbi të ardhmen e tij.

Gjithashtu Meta dhe Lavrov diskutuan mbi mundësitë e rritjes së bashkëpunimit në nivel dypalësh dhe mbi realizimin e disa marrëveshjeve të rëndësishme në fusha me interes reciprok.

Dy bashkëbiseduesit shprehën mbështetjen për shkëmbimin e mendimeve edhe në organizatat ndërkombëtare, ku të dy vendet janë anëtarë.

Ndërkohë Meta po sot është takuar edhe me homologun e tij të suedez Karl Bildt.

Gjatë takimit u diskutua mbi progresin e Shqipërisë në proçesin e integrimit evropian dhe në liberalizimin e vizave si dhe mbi marrëdhëniet dypalëshe dhe politikën e saj rajonale.

Meta shprehu gatishmërinë e Qeverisë shqiptare për të ndërmarrë në kohë dhe me efikasitet të plotë të gjitha reformat që kërkon proçesi i integrimit në BE.

Gjithashtu ministri i Jashtëm, Ilir Meta u takua edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të Asamblesë Parlamentare të OSBE, Joao Soares dhe me Drejtorin e ODHIR, Janez Lenarcic.

Gjatë takimit, Soares dhe Lenarcic shprehën dhe një herë qëndrimin e institucioneve që përfaqësojnë mbi zgjedhjet e 28 qershorit, duke i cilësuar ato si një progres të dukshëm dhe në përputhje me shumicën e standardeve të OSBE/ODHIR.

Nga ana e përfaqësuesve të OSBE u mirëpritën hapat që ka ndërmarrë qeveria shqiptare për të risjellë Opozitën brenda Institucionit të Parlamentit si dhe u vlerësua gatishmëria e saj për t'i ofruar Opozitës shumicën dhe kryesimin e Komisionit Hetimor Parlamentar si dhe një rol drejtues në proçesin e reformës zgjedhore.

k.k/NOA

KOMENTE