Tiranë, 2 dhjetor NOA - Zëvendësministrja e Turizmit, Zana Turku doli zot në një deklaratë për shtyp me anë të së cilës akuzoi kreun e opozitës, Edi Rama si dhunuesin dhe aspiratës evropiane të shqiptarëve.
"Në një kohë kur Shqipëria bën përpjekjet për t'u integruar ashtu si vendet e tjera fqinjë, protestat e opozitës prezantojnë një imazh që dashur pa dashur nuk japin atë që vërtet Shqipëria është dhe duhet të prezantojë .
Është naive për mua organizimi i protestave të tilla që në thelb kanë një kërkesë që vet kryetari që i udhëheq këto protesta është i bindur se nuk mund të realizohen" tha Turku.
Sipas saj, arsyeja është më e thjeshtë, me çdo mënyrë Rama kërkon të dëmtojë vendin e vet Shqipërinë.
"Përse është i etur për kaq dhunë kryetari i partisë së opozitës kur ka shumë zgjidhje demokratike, njëra nga më kryesoret është ajo e pjesëmarrjes në parlament.
Çfarë pret ky kryetar të fitojë përmes dhunës, duke arritur deri aty sa të detyrojë edhe njerëzit e tij, se do të marrë masa në rast se nuk do t'i përgjigjen thirrjes për në protesta.
Prandaj do t'i drejtohesha bashkëatdhetarëve të mi të mos gënjehen dhe të mos ndjekin një njeri i cili prodhon vetëm konflikte dhe që nuk do t'i vinte kurrë keq për pasojat që do të shkaktonin këto konflikte.
Ju bëj dhe një herë thirrje, ti themi jo dhunës, nga e cila jam e sigurt do të kënaqeshin vetëm ata që e prodhojnë dhe nuk humbasin gjë, por asnjëherë ne, për atë që duam të realizojmë në të ardhmen" përfundoi Turku.
k.k/NOA