Nga Rajmonda Lajthia
Tiranë, 2 dhjetor NOA - Zgjidhja e çështjes së pronave do të jetë e përqendruar vetëm tek një institucion, që është Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit në Tiranë, ndërsa vendimet nuk do të jenë më kolegjiale, por do ti marrë drejtuesi i saj.
Kjo do të thotë se në rast se keni probleme pronësie, në çdo rreth të vendit do të mund ta zgjidhni vetëm në kryeqytet.
Ndryshimet që iu bënë ligjit të kthimit dhe kompesimit të pronave, përveç të tjerash synojnë që brenda vitit 2011, agjencia të ketë përfunduar procesin e njohjes së pronës për 8 mijë kërkesat e bëra gjatë viteve të fundit.
Drejtorja e Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë, Marsida Xhafollari duke folur me agjencine NOA, shprehet se nisma e shkrirjes së zyrave rajonale është marrë me qëllim përshpejtimin dhe zgjidhjen e problemeve të pronës.
Pronarët të cilët nuk janë pranuar në komisionin parlamentar të ligjeve, i cili miratoi këto ndryshime, reagojnë ashpër ndaj centralizimit në një dorë të vetme të çështjeve të pronësisë.
Sipas Agim Toros, ndryshimet e ligjit nuk bëjnë gjë tjetër veçse rrisin burokracitë për pronarët, pasi tashmë cilido që ka probleme pronësie duhet t'i nënshtrohet një procesi gjyqësor të detyrueshëm në Tiranë dhe më pas të mund t'i drejtohet Gjykatës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut.
Në vitet e fundit gjykata e Strasburgut ka dhënë disa vendime në dëm të qeverisë shqiptare duke i dhënë të drejtën ankimuesve, pronarëve shqiptarë.
Por nisur nga volumi i madh i dokumentacionit që kërkohet për pronat, drejtori i agjencisë ka pranuar se ka vend që të rishikohet ligji me tendencë thjeshtimin e dokumentacioneve.
"Ne kemi zbatuar me përpikmëri vendimet e Këshillit të Ministrave, por mendojmë se ka problematika të cilat janë vërejtur në punën tonë për sa i përket dokumentacioneve që kërkohen.
Në një kohë që për një shërbim sa më të mirë ndaj qytetarëve ka hapësira për t'i reduktuar"- u shpreh Cefa duke folur me agjencinë NOA.
Aktualisht funksionojnë 12 zyra rajonale në qarqet e vendit, të cilat qeveria ka vendosur ti shkrijë për ti përqendruar punët vetëm në kryeqytet.
Por kjo nisëm duket se do të krijojë një barrë të madhe për zyrën e vetme në kryeqytet si dhe do të jetë gjykata e Tiranës në të cilën do të përqendrohet çdo ankimim ndaj vendimeve të AKKP-së.
Ligji në fjalë, pritet të miratohet në seancën e radhës së Kuvendit të Shqipërisë.
r.l/NOA