English

PS, Dokle: Afatit tonë 10 ditor, Berisha dha një përgjigje të çoroditur

Tiranë, 2 dhjetor NOA - "Sot është dita e fundit që opozita ka pritur reflektimin serioz të mazhorancës dhe kryeministrit, të saj, lidhur me kërkesat e opozitës për hapjen e kutive dhe një sërë elementesh të tjerë që do të garantonin, jo vetëm transparencën e procesit zgjedhor, por edhe vazhdimin normal të reformave integruese të Shqipërisë".

Kështu ka deklaruar sot deputeti i Partisë Socialiste, Namik Dokle gjatë një deklaratë për shtyp ku theksoi se deri në këtë moment, kërkesat sipas tij të qarta, demokratike, të drejta e të arsyeshme të opozitës, morën si përgjigje një gjuhë agresive dhe të çoroditur nga Kryeministrit, qeveritarët dhe orkestra e çakorduar parlamentare.

"Opozita kërkoi transparencën e plotë të procesit zgjedhor e ata u përgjigjën me kërcënime e shpifje.

Opozita kërkoi hapjen e kutive ku numërimi i votave është bërë keq dhe shumë keq- ata u përgjigjën me arrogancë e shurdhëri.

Opozita kërkoi evidentimin dhe dënimin ligjor të shkeljeve flagrante të Kodit Zgjedhor- ata tregojnë përralla për afatin e mandateve, që nuk na i dhanë ata, por më shumë se gjysma e zgjedhësve shqiptarë" tha Dokle.

Më tej deputeti socialist u shpreh se PS kërkoi zgjidhje të krizës së demokracisë e të shtetit të së drejtës me dialog dhe mirëkuptim por kryeministri kërcënon me skemat e skenarët e krizës së vitit 1997 për shtypjen siç thoshte ai "me zjarr dhe hekur" të protestave popullore, për ngrirjen e buzëqeshjes së opozitës, për shkuljen e dhëmbëve me gjithë nofulla e të tjera kërcënime e absurditete të nxjerra nga arkivi i ndryshkur Stalinist.

"Ne i themi Kryeministrit dhe mazhorancës së tij që për sa kohë ka mundësi reflektimi dhe arsyetimi, të mbyllë poligonin enverist të luftës kundër opozitës.

Gjuha e çoroditur dhe agresive as nuk e tremb dhe as nuk e shkurajon opozitën!

Përkundrazi, i rrit edhe më shumë përgjegjësinë për fatet e vendit, i forcon vendosmërinë për të vazhduar qëndresën dhe protestat bashkë dhe në krye të gjithë atyre shqiptarëve, këtu dhe në emigracion, të majtë apo të djathtë, për të cilët liria e votës është baza e çdo lirie, e drejta e votës është çelësi i integrimit real në shoqërinë e hapur dhe demokratike" përfundoi Dokle.

k.k/NOA

Â

KOMENTE