English

Rama i përgjigjet akuzave të Berishës: Lejet e ndërtimit s'i dhashë unë, por KRRT

Tiranë, 3 Dhjetor NOA - Akuzat e shumta që kryeministri bëri mbrëmjen e së mërkurës në një konferencë për shtyp, nxorën edhe një herë kryetarin socialist Edi Rama para mediave duke reaguar mbi deklarimet se ka kryer abuzim në vlerë totale 750 milionë euro.

Rama tha se "Berisha doli me një palodosje për të mbështetur, mbi gjoja fakte, gjithë alibinë e turpshme të ngritur nga frika e së vërtetës, sipas të cilës, përballë tij nuk është opozita e vendit, po një aleancë punisto-mafioze".

Më tej Rama lëshoi akuzë ndaj Berishës kur tha se sulmi i tij erdhi pasi "e kuptoi se me të vërtetë nuk ka asnjë shans të joshë e blejë me paratë e ndyra të korrupsionit deputetët që i duhen për të thënë se parlamenti ekziston dhe s'është vetëm një komitet qendror banal i partisë në pushtet".

Kurse duke u përqendruar te sulmet mbi deputetët dhe biznesmenët afër PS, fillimisht Rama theksoi se ata janë "emra sipërmarrësish të lirë të kësaj republike, ndër ta edhe deputetë të Partisë Socialiste që vijnë nga bota e biznesit".

Rama sqaroi se "kryetari i Bashkisë së Tiranës nuk jep leje ndërtimi po firmos leje që jepen nga KRRT-ja me 9 anëtarë. Katër anëtarë janë të emëruar drejtpërdrejt nga Sali Berisha dhe 4 anëtarë janë të zgjedhur nga Partia Socialiste, përfshirë edhe mua si kryetar i Bashkisë së Tiranës. Anëtari i 9 është zgjedhur konsensualisht edhe nga PS edhe nga PD".

Duke u ndalur në termat teknike, Rama tha se ky formulim i KRRT-së është bërë pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2007, sepse deri në vitin 2007 shumicën që ka vendosur gjithçka e ka pasur Sali Berisha, më parë kryeministrat e tjerë e kështu me radhë.

Kurse vuri në dukje se "nuk ka asnjë leje, asnjë të vetme, ku unë të kem përdorur votën time për të bërë shumicë".

Rama siguroi se "lejet janë dhënë me votë të plotë të KRRT, ndërkohë që deri në vitin 2007 s'kam marrë pjesë në asnjë mbledhje të KRRT-së që kontrollohej nga njerëzit e Saliut, edhe pse kam firmosur siç ma dikton ligji çdo vendim të atij organi kolegjial".

/e.l/r.b/NOA/ - Lexoni më shumë mbi argumentin e ditës:

Rama: Opozita nuk ka dhënë ultimatum, por afat për reflektim

Berisha: Rama më solli mesazh, ja përgjigjja që i jap unë publikisht

"Dosja me abuzime 750 milionë euro", kush janë njerëzit që denoncoi Berisha

KOMENTE