English

Sot dita e fundit e ultimatumit të opozitës ndaj Berishës për hapjen e kutive të votimit

Tiranë, 2 dhjetor, NOA - Sot shënohet dita e fundit e ultimatumit të opozitës ndaj mazhorancës për reflektim mbi hapjen e kutive të zgjedhjeve të 28 qershorit.

Bëhet fjalë për finishin e afatit 10-ditor që kryesocialisti Edi Rama, i paraqiti publikisht kryeministrit Sali Berisha në mbyllje të protestës maratonë para godinës së qeverisë.

Duke parë se prej tij nuk pati asnjë reagim apo përgjigje ndaj opozitarëve që qëndruan për tre ditë dhe 3 netë me radhë të ngujuar para Kryeministrisë me kërkesën për hapjen e kutive, kreu i socialistëve i bëri me dije kreut të qeverisë se kishte vetëm 10 ditë kohë për të reflektuar mbi kërkesat opozitare.

Në të kundërt, Rama ka bërë me dijeni se paskëtaj, qeveria do të përballet me një mosbindje civile nga ana e opozitës si edhe protesta masive nëpër sheshe, tashmë me kërkesën për zgjedhje të parakohshme.

Duket se pas përfundimit të afatit 10 ditor, kërkesat e opozitës do të agravohen duke e kaluar transparencën e procesit të 28 qershorit në front të dytë dhe duke luftuar për rrëzimin e kësaj qeverie, të cilën e cilësojnë si të paligjshme, duke kërkuar zgjedhje të parakohshme.

Ndërkaq, pritet që nesër, kur ky afat të ketë përfunduar plotësisht, kryetari i PS-së të diskutojë sërish me deputetët e grupit parlamentar socialist në lidhje me strategjinë që do të ndiqet pas heshtjes së Berishës lidhur me kërkesën e tyre për hapjen e kutive të 28 qershorit.

Ndërkohë, në datën 5 dhjetor përfundon gjithashtu edhe afati që drejtuesit socialistë të pushtetit lokal i kanë vënë kryeministrit nga ana e tyre për kërkesat mbi autonominë financiare.

Nga ana e tij, Berisha ka bërë me dijeni se në 8 dhjetor do të ketë një miting festiv me rastin e ditës së rinisë.

a.ymeraj/NOA

KOMENTE