Uashington, 2 dhjetor, NOA - Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të dislokojnë edhe 30 mijë trupa shtesë në Afganistan, të cilat do t'u shtohen rreth 68 mijë trupave që ndodhen aktualisht atje dhe disa dhjetëra mijëra trupave aleate.
Një fakt të tillë e ka bërë me dije presidenti i SHBA-ve, Barak Obama ndërsa shpalosi strategjinë e tij në Akademinë Ushtarake Amerikane Uest Point në Nju Jork.
Sipas tij, 30 mijë trupat shtesë do të dislokohen në pjesën e parë të vitit 2010 me shpejtësinë më të madhe të mundur, që ata të mund të vënë nën shënjestër kryengritësit dhe të sigurojnë qendrat kryesore të Afganistanit.
Presidenti tha se strategjia e re në Afganistan do t'i kushtojë Amerikës rreth 30 miliard dollarë në vitin që vjen dhe tha se do të punonte nga afër me Kongresin për të adresuar koston.
Ndërsa shtoi në fjalimin e tij se Afganistani nuk ka humbur por ka bërë hapa prapa për disa vite, porse Al Kaida po planifikon akte të reja terrori nga streha e sigurtë përgjatë kufirit Afgano-Pakistanez me mbështetjen e Talebanëve, prandaj sipas tij, duhen shtuar forcat e aleatëve atje, në mënyrë që atij t'i mohohet kjo strehë e sigurtë.
"Ne duhet të zbrapsim mësymjen talebane dhe të refuzojmë mundësinë për të përmbysur qeverinë. Ne duhet të forcojmë kapacitetin e forcave afgane të sigurisë dhe qeverisë në mënyrë që ato të marrin përgjegjësinë kryesore për të ardhmen e Afganistanit", tha ndër të tjera presidenti amerikan.
Nga ana tjetër, ai u kërkoi vendeve aleate që të kontribojnë me më shumë trupa për të luftuar në Afganistan dhe tha se ai ka besimin se ato do ta bëjnë këtë.
Por ai shtoi edhe faktin se strategjia e tij do të mundësojë kthimin e trupave në Amerikë nga mesi i vitit 2011, në varësi të kushteve në terren.
Obama nuk harroi të përmendë as Pakistanin, duke deklaruar se shumica e talebanëve ndodhen pikërisht në këtë vend, prandaj theksoi edhe nevojën e vazhdimit të partneritetit me qeverinë pakistaneze.
n.e/NOA
Â
Â
Â
Â
Â