English

"VIE PRIVE-VIE PUBLIQUE", KRIMI NË MES

"Duke qenë se Forumi ynë i Avokatëve ka profesionistë të aftë, që dinë ta lexojnë, interpretojnë dhe zbatojnë me përpikmëri ligjin, duke qenë se dimë si bëhet një kallëzim penal dhe si vihet në lëvizje organi i akuzës dhe gjykata, për të vënë para përgjegjësisë të gjithë elementët manipulatorë, falsifikatorë, shpërdorues detyre etj, kërkojmë të na vihen në dispozicion kutitë e votimit dhe një ambient të përshtatshëm pranë KQZ për ta kryer me përgjegjësi këtë angazhim të bazuar në vullnetarizëm"

Nga Av. Idajet Beqiri*

Në datën 9 Shtator 2009, me cilësinë e Kryetarit të Forumit të Avokatëve Për Drejtësi (FAD), i drejtuam KQZ, Ambasadorit të OSBE, ambasadorit të SHBA dhe Ambasadorit të BE një projekt për angazhim në ekspertizën juridike të të gjitha kutive të votimit që u përdorën në funksion të zgjedhjeve të 28 qershorit 2009 për në Kuvendin e Shqipërisë.

Me këtë rast e sqaruam KQZ dhe këto organizma ndërkombëtare se "ky veprim nuk ka si qëllim nxjerrjen e të dhënave prej materialeve të kutive të votimit për t'i përdorur ato si "prova" për kontestimin e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009 për në Kuvendin e Shqipërisë."

Jo, nuk ishte ky qëllimi. Ne evidentonim faktin se zgjedhjet e 28 qershorit 2009 ishin certifikuar nga organet kompetente ligjore, siç janë KQZ dhe Kolegji Zgjedhor Pranë Gjykatës së Apelit Tiranë.

"Qëllimi i këtij veprimi,- theksonim në deklaratën që dërguam, - është evidentimi i rasteve që përbëjnë vepra penale, ose shkelje të tjera ligjore, të kryera nga individë të caktuar, të cilët mund të jenë anëtarë të komisioneve të zgjedhjeve, anëtarë të komisionit të numërimit të votave etj.

Duke qenë se Forumi ynë i Avokatëve ka profesionistë të aftë, që dinë ta lexojnë, interpretojnë dhe zbatojnë me përpikmëri ligjin, duke qenë se dimë si bëhet një kallëzim penal dhe si vihet në lëvizje organi i akuzës dhe gjykata, për të vënë para përgjegjësisë të gjithë elementët manipulatorë, falsifikatorë, shpërdorues detyre etj, kërkojmë të na vihen në dispozicion kutitë e votimit dhe një ambient të përshtatshëm pranë KQZ për ta kryer me përgjegjësi këtë angazhim të bazuar në vullentarizëm."

Sipas Forumit tonë të Avokatëve Për Drejtësi, këtë gjë kërkonim ta bënim për të dhënë ndihmesën tonë modeste në funksion të respektimit dhe mbrojtjes së votës së lirë dhe përparimit të demokracisë në vend, pasi, nënvizonim në kërkesën që drejtuam, "nxjerrja prej kutive të votimit të parregullsive dhe falsifikimeve të së vërtetës, duke vënë para përgjegjësisë personat përgjegjës, do të ndikonte pozitivisht në parandalimin e kësaj dukurie në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe në ato për pushtetin vendor."

Këtë deklaratë Forumi i Avokatëve Për Drejtësi ia drejtoi edhe të gjitha Grupeve Parlamentare të dala nga zgjedhjet e 28 qershorit 2008, drejtuesve të partive kryesore politike dhe masmediave të shkruara dhe elektronike.

Kjo deklaratë gjeti pak jehonë në vend. U botua nga në dy-tre gazeta relativisht të vogla, në dy agjenci lajmesh dhe kaq! Këtë angazhim në ekspertizën juridike të të gjitha kutive të votimit të Forumit të Avokatëve Për Drejtësi nuk e botoi as "Zëri i Popullit" dhe nuk i bëri jehonë asnjë nga masmediat elektronike të varura dhe  "të pavarura" të vendit tonë! Ndaj kësaj deklarate nuk reagoi as vetë lideri i PS-së, Edi Rama, i cili shumë ditë më pas shpalli bojkotin parlamentar të deputetëve të Partisë së tij dhe nisi betejën "O të hapen kutitë e votimit, o të bëhet nami në Shqipëri"!

Vlerësimi dhe qëndrimi ynë, si Forum i Avokatëve, për hapjen ose jo, të kutive të votimit, është artikuluar në datën 9 Shtator 2009.

Lideri i PS-së Edi Rama, për arsye të shumta, përgjithësisht individuale, por ashtu siç ndodh, brenda individuales, qëndrojnë edhe interesa të grupimeve shoqërore, u kap fort pas "hapjes së kutive të votimit", sa tashmë e gjithë politika në vend dhe të gjithë shqiptarët, e kanë barazvlerësuar atë me "Kutinë e Pandorës".Â

Sipas mitologjisë Greke, Prometeu vodhi zjarrin e zotave dhe ua dha njerëzve. Zeusi, në shenjë hakmarrje, krijoi një femër të bërë nga tokë dhe ujë.

"Zotat" i dhanë kësaj femre cilësitë dhe aftësitë më të mëdha, i dhanë bukurinë, inteligjencën, shpejtësinë, artin e tërheqjes dhe të mashtrimit etj. Këtë femër Zotat e quajtën "Pandorë", që do të thotë burim i të gjitha të mirave. Zeusi i dha Pandorës një Kuti, duke e porositur që të mos e hapte dhe e dërgoi te Prometeu. Vëllai i Prometeut, i quajtur Titan, u dashurua me Pandorën dhe kjo dashuri përfundoi në martesë.

Kutia kishte brenda gjithë të këqijat e kësaj bote, dhe hapja e saj sillte qametin. Pandora, ditën e parë të martesës, nga kureshtja e tepërt, e hapi Kutinë.

Para se te hapej kutia, njerëzimi nuk e njihte të keqen, nuk e njihte lodhjen dhe sëmundjet. Njerëzit dhe zotërat ishin të pavdekshëm.

Kur Kutia u hap, shpërthyen me vrull të gjitha të këqijat, dil e dil, e sill fatkeqësi të panumërta. Në një çast Pandora u kthjellua dhe, para se të delte prej saj Elpisi (në greqisht do të thotë "Shpresa"), e mbylli përsëri Kutinë. Një kohë të gjatë bota u bë një vend i pamëshirshëm. Në pikun e pikëllimit, Pandora hapi përsëri kutinë dhe prej saj doli edhe Elpisi (Shpresa). Ai e solli përsëri në mbrodhësi botën.

Ndoshta kutitë e votimit të 28 qershorit 2009 kanë brënda fuqinë dhe magjinë e "Kutisë së Pandorës".

Ndaj politika është hedhur e gjitha në veprim. Të hapen, thotë opozita, të mos hapen, thotë qeveria. Dhe janë krijuar dy palë llogoresh, llogorja e majtë, dhe llogorja e djathtë. Brenda këtyre llogoreve janë pozicionuar në formë luftimi, dhe hapin "zjarr", duke "vjellë" ndaj njëri-tjetrit gjithë zhargonin që përmban fjalori i gjuhës shqipe. Madje është thirrur në ndihmë edhe zhargoni i gjuhëve të huaja. Â

Deputetë, qeveritarë, pushtetarë të rangjeve të larta dhe të ulëta, politikanë, analistë, gazetarë, masmedia, madje edhe personalitete të ndryshme të faktorëve ndërkombëtarë, të cilët në fakt duhet të luanin rolin e arbitrit, jo të pozicionimit në njërën, apo tjetrën llogore, me "grafik", çdo ditë e çdo çast, nga masmediat e shkruara, e më shumë nga masmediat elektronike, traumatizojnë qytetarët e këtij vendi, me klithmat e tyre. Një popull i tërë është bërë për të shkuar te psikologu. Një popull i tërë është i detyruar të dëgjojë lloj-lloj marrëzirash, shpifjesh, akuzash, paralajmërimesh për mynxyra.

"Kutia e Pandorës" i ka egërsuar aq tepër politikanët tanë të mbrapsht, sa e kanë lenë "pa fre"gjuhën e tyre, dhe çfarë nuk po sheh, dhe çfarë nuk po dëgjon ky popull. Deri aty ka arritur puna, sa nuk ka më "Piramidë Hierarkike". Të gjithë janë bërë të barabartë në përdorimin e fjalorit rrugaçëror të shpifjeve, të akuzave, të intrigave, të pabesive, të terrorizimit si asnjë herë tjetër të popullit. Kjo është gjuha e Kryeministrit, kjo është gjuha e liderit të PS-së, kjo është gjuha e ministrave, deputetëve, pushtetarëve lokalë, dhe duke parë "rrushi-rrushin", kjo është gjuha edhe e popullit tifoz të të dy krahëve.Â

Dihet shkaku pse "villen" kaq shumë akuza e shpifje ndaj njëri-tjetrit. Rëndësi ka që njerëzit e urtë të këtij vendi, të paktë sa janë, nga të dyja krahët që janë, apo intelektualët, që për fatin e keq të këtij vendi i ka zënë gjumi, ose i kanë vënë në gjumë, të bëjnë një ndërmjetësim minimum mes palëve. T'u themi të dy krahëve që të mbajnë gojën, të mendohen pak, para se të nxjerrin fjalët. Kur i nxjerrin fjalët, të mos thonë ato që nuk duhen thënë, që nuk duhen thënë se nuk i pranon morali ynë, por nuk i pranon as mjedisi ligjor i shtetit juridik që duam të ndërtojmë.Â

Në se keni prova, fakte, dokumente për abuzime me pronat të njërit, apo tjetrit, në se ka vjedhur ky, apo ai, në se korrupsionin dhe mafien e përfaqëson filani, apo fisteku, i thoni pasi të keni depozituar kallëzimet penale në organin e akuzës dhe pasi të jetë dhënë vendimi gjyqësor i formës së prerë. Ndryshe ky vend dhe ky popull do të vuajë gjatë mallkimin "meritoni të jeni vetëm në unionin e shpellave, por jo të Evropës së qytetëruar"!

Të thuash vetëm "VIE PRIVE", ( jetë private), ta shkëputësh atë nga jeta publike, nuk ke thënë asgjë. Nuk ka "jetë private" të një politikani, apo të një pushtetari që ka kryer një krim. Krimi denoncohet, hetohet, gjykohet dhe dënohet. Nuk ka jetë private kur t'i më kërkon votën që të më qeverisësh, që të më mbrosh jetën, shëndetin, pasurinë, nderin, dinjitetin, atdheun dhe kombin tim, dhe nga ana tjetër je i mbushur deri në grykë me perversitete, të cilat të dëmtojnë të kryesh misionin ndaj një populli të tërë dhe ndaj vendit tënd, vese të cilat po t'i dija unë votuesi, nuk do ta jepja kurrë votën për të më qeverisur.

Ndaj, në se hidhet "balta" mbi ty, lëre mënjanë "jetën private", por sqaro akuzën, qëndron apo jo ajo, je apo jo vjedhës, je apo jo i korruptuar, je apo jo i shitur te agjentura greke, serbe apo diku gjetkë,  kundër interesave të popullit tënd. Sqaro me fakte e prova qe Ti dhe familja jote nuk jeni  latifondistë të këtij vendi, që nuk je i dhunshëm, që nuk je mazokist, që nuk je skizofren apo psikopat. Dhe, kur te thonë "je homoseksual", apo "je heteroseksual",  ka ardhur koha t'i deklarosh  edhe preferencat e tua personale. Dhe mos harro se je në Shqipëri, jo te kurtizanet e Parisit! Provo me argumente, me dokumente, me fakte se nuk je i tillë për atë që te akuzojnë pa të drejtë, dhe pastaj vër në lëvizje me mjetet ligjore që ke në dispozicion organet e drejtësisë, të cilat të hetojnë, të zbulojnë, të gjykojnë, të nxjerrin në shesh të vërtetën dhe të dënojnë manipulatorët, gojështhururit, kriminelët, perversët, të gjithë ata që nuk e meritojnë të jenë në krye të popullit dhe të qeverisjes së vendit.

Kështu mbase do shpëtonim atë që ka mbetur nga degradimi politik, nga degradimi si popull e si komb, nga kriza e rëndë që na ka mbërthyer në çdo aspekt të jetës, ekonomike, morale, të identitetit, të besimit e të shpresës për të ardhmen. Kështu do kishim më pak të uritur, më pak të varfër, më pak të shtruar në spitale, më pak të vrarë e të vdekur, më pak të deprimuar. Kështu do të konsumonim më pak medikamente antidepresive.

(*) Dërguar nga autori

KOMENTE