Tiranë, 3 dhjetor NOA - Dritan Agolli, Administrator i Përgjithshëm në Bashkinë e Tiranës ka dalë sot në një deklaratë për shtyp ku foli për akuzat e kryeministrit Berisha ndaj bashkisë së Tiranës.
Fushata e përbaltjes së Bashkisë së Tiranës, që ka hyrë në vitin e dhjetë të saj kulmoi mbrëmë me një mal akuzash, të mbledhura në një dosje kartoni, në duart e Kryeministrit të Republikës.
Dje, Kryeministri përmblodhi në 1 orë komunikimi publik, gjithë akuzat e këtyre dhjetë viteve ndaj institucionit të Bashkisë dhe Kryetarit të zgjedhur të saj.
Bashkia e Tiranës, dosjes kryeministrore të kartonit, me malin e gënjeshtrave, do t'i vërë përballë 302 dosje, me dritën e së vërtetës" tha Agolli.
Sipas tij, bashkia e Tiranës informon si fillim opinionin publik, se nga viti 2005 deri ne 2007, Këshilli i Rregullimit të Territorit të Tiranës, e kontrolluar në mënyrë absolute nga qeveria dhe në të cilin Kryetari i Bashkisë nuk ka marrë pjesë në asnjë mbledhje të vetme, ka dhënë 184 leje ndërtimi.
"Nga viti 2007 e deri më sot, KRRT e përbërë nga 9 anëtarë, ku 4 prej të cilëve janë emërime të qeverisë dhe i pesti i zgjedhur me konsesus midis të dyja forcave politike, ka miratuar 118 leje ndërtimi, thuajse në unanimitet të plotë.
Bashkia e Tiranës, nuk është këtu sot, për t'iu përgjigjur akuzave, as për tu mbrojtur, as për të dhënë prova apo fakte nga 302 dosjet e së vërtetës.
Bashkia e Tiranës është këtu sot për të njoftuar, lançimin e projektit më të madh të transparencës që është parë ndonjëherë në hapësirën evropiane e më tej, projekt që do të zbardhë përditë, me durim, çdo orë, çdo dosje nga këto 302 dosje, çdo fije letër, çdo emër e mbiemër pronari, çdo emër investitori, çdo pronar firme ndërtimi, çdo centimetër katror tokë, me formën dhe seriozitetin e duhur, për një Kryeministër.
Bashkia e Tiranës deklaron se nuk do të lodhet, as do të rreshtë në zbardhjen e çdo akuze, në tretjen e çdo gënjeshtre, derisa asnjë fije balte, e politikës së hedhur këto dhjetë vjet, të mos ngelet në fytyrën e saj" përfundoi Agolli.
k.k/NOA
Â
Â
Â