English

Apeli i invalidëve: Na mbroni nga diskriminimi

Nga Blerina Ahmetaj

Tiranë, 3 Dhjetor NOA - Personat me aftësi të kufizuar i kërkojnë qeverisë të mbrojë përmes ligjit të drejtat e tyre të cilat duhet të përfshihen dhe në Kushtetutë.

Sot, në ditën botërore të kësaj kategorie, kryetari i Këshillit për të Drejtat e Aftësisë së Kufizuar, Sinan Tafaj, ka kërkuar më shumë vëmendje ndaj nevojave ekonomike që kanë invalidët sot në mbarë vendin.

"Do të kërkonim një paketë ligjore që të na mbrojë nga përjashtimi shoqëror që i bëhet kësaj shtrese e natyrisht duhet të garantohemi me Kushtetutë. Por përveç paketës ligjore ne kemi nevojë dhe për më shumë mbështetje financiare pasi nevojat tona janë më të mëdha nga çfarë përfitojmë realisht sot", tha Sinan Tafaj.

Por ndryshe nga pretendimet e shoqatave të personave me aftësi të kufizuar, ministri i Punës, Spiro Ksera, deklaroi se gjatë këtyre viteve janë rritur ndjeshëm paketat ekonomike për invalidët.

"Qeveria, që nga viti 2005, ka rritur mbështetjen financiare 50% për të gjitha kategoritë e personave me aftësi të kufizuar dhe ka hartuar Strategjinë Kombëtare të Aftësisë së Kufizuar dhe një Plan të detajuar Veprimi.

Funksionon Këshilli Kombëtar për Çështje të Aftësisë së Kufizuar pranë Këshillit të Ministrave, në të cilin marrin pjesë në cilësinë e anëtarit shoqatat që përfaqësojnë personat me aftësi të kufizuar, duke sjellë e konsultuar në nivelin më të lartë të gjithë problematikën që shqetëson këtë kategori", ka deklaruar Ksera.

Në lidhje me mbrojtjen ligjore të invalidëve, ministri tha se qeveria shqiptare sapo ka nënshkruar Konventën për të Drejtat e personave me Aftësi të Kufizuar e cila i hap rrugë zbatimit të detyrimeve që i lindin shtetit prej saj.

"Pikërisht sot, në Ditën Ndërkombëtare të Paaftësisë, Qeveria shqiptare miratoi vendimin për nënshkrimin e Konventës "Për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara" me Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, e cila i hap rrugë Ratifikimit të saj, si dhe hartimit e zbatimit të një plani veprimi ndërinstitucional, që do të shërbejë për të përmbushur detyrimet e Konventës", tha Ksera.

b.a/e.l/NOA blerina.ahmetaj@noa.al

KOMENTE