Tiranë, 3 Dhjetor NOA - Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka dërguar një mesazh për kryeministrin Berisha ku i kërkon që të pranojë kërkesën që Presidentin, mandatin e ardhshëm ta ketë PS.
Pohimi u bë nga Kryeministri Sali Berisha mbrëmjen e së Mërkurës, në një konferencë për shtyp, ku Berisha përjashtoi që të pranojë një ofertë të tillë e cila do të çonte në tërheqjen e kërkesave aktuale të socialistëve.
Gjatë takimit me gazetarët, Berisha u pyet se "a mund të na sqaroni dhe njëherë mesazhin që zoti Rama ju ka sjellë, sipas të cilit ju t'i jepni postin e Presidentit në vitin 2012, si kusht për të hyrë në parlament?" dhe u përgjigj:
"Mesazhet e Ramës janë të pafundme, që nga fillimi, për të bërë koalicion, për të përjashtuar Ilir Metën, më pas për t'u bashkëngjitur, më pas për postin e Presidentit të Republikës. Por, nuk është hera e parë që e deklaroj se unë nuk pranoj të ndaj pushtetin me të, sepse kam një koalicion që funksionon".
"Ajo çka pranoj unë, - vijoi Berisha, - është që t'i krijoj të gjitha hapësirat opozitës dhe frymën e mirëkuptimit. Këtë pranoj unë dhe për këtë do të punoj e do ta bëj pa asnjë lloj hezitimi. Është i mjerë ai që përpiqet ta vërë në dyshim një pushtet legjitim, një vullnet të lirë".
Në vijim të deklaratës së tij, kryeministri theksoi se opozita është e mirëpritur, oferta është e bërë, por në mënyrë absolute, nuk ka dhe nuk do të ketë, - siç përforcoi, - asnjë lloj kompromisi për vendimin e gjykatës.
"Nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë lloj kompromisi për ndarje pushteti, siç kërkon ai. Këto të dyja t'i harrojë. Le të vazhdojë të gjitha përpjekjet me Kokëdhitë, me Don Dollakët etj. Unë do të vazhdoj qeverisjen time, do të vazhdoj betejën me zero tolerancë ndaj mafies shqiptare".
e.l/NOA - Lexoni më shumë mbi argumentin e ditës:
Rama: Opozita nuk ka dhënë ultimatum, por afat për reflektim
Rama i përgjigjet akuzave të Berishës: Lejet e ndërtimit s'i dhashë unë, por KRRT
"Dosja me abuzime 750 milionë euro", kush janë njerëzit që denoncoi Berisha