English

Berisha: Rama nuk lejon investitorët e huaj të ndërtojnë pallate në Tiranë

Tiranë, 3 dhjetor NOA - Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, kryeministri Sali Berisha iu drejtua ministrit të Punëve Publike dhe të gjithë ministrave, me pyetjen se si ka mundësi që në Shqipëri bëhen të gjitha llojet e investimeve, por asnjë i huaj nuk mund kurrën e kurrës, të ndërtojë një pallat në Tiranë.

"Brenda bashkisë së Tiranës nuk ka ndonjë investim të huaj. Ndërkohë që kemi zona të tëra në Farkë, në Kashar, në Dajt, për të huajt kjo është e ndaluar në Tiranë dhe kjo sepse të huajt nuk do të pranojnë të krijojnë kartelin e çmimeve të ndërtimit. Nuk i lënë, pasi vetë marrin nga 150 mijë metra katror sipërfaqe ndërtimi. Situata është emergjente. E theksoj, më gjeni një investitor të huaj që të ketë guxuar të ndërtojë në Tiranë dhe kjo, jo se investimet në Tiranë nuk janë të leverdishme, pasi, absolutisht, çmimet në periferi të Tiranës janë të barabarta me çmimet në periferi të Berlinit, por nuk të lë mafia që të afrohen" tha sot Berisha.

Sipas tij, kjo situatë është e patolerueshme dhe duhet të marrë përgjigjen më të fuqishme dhe se qeveria do të përdorë të gjithë forcën e ekzekutivit, ajo nuk do të ngurojë të përdorë dekretin.

"Lufta kundër mafies është emergjente. Ndaj Këshilli Ligjor që do të ngrihet, një nga detyrat do të ketë sugjerimin e dekreteve të Këshillit të Ministrave për të shpartalluar mafian me forcën e ligjit. E ritheksoj, a ka ndonjë investitor të huaj në kryeqytet? Kjo është e ndaluar. Shkolla nuk mund të ndërtohen dhe investitorë të huaj nuk mund të ketë në Tiranë. Këto dy kategori janë të përjashtuara" përfundoi Berisha.

k.k/NOA

KOMENTE