Tiranë, 3 dhjetor NOA - Bashkia e Tiranës ka vijuar edhe sot kallëzimet penale ndaj ministrit të Transportit, Sokol Olldashi.
Bëhet fjalë për çështjen "Taivani" që bashkia e Tiranës pasi depozitoi kallëzim në gjykatë për Olldashin ka depozituar një kallëzim edhe në Prokurori ditën e sotme.
"Në vijim të depozitimit të tre padive civile, dje në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ashtu siç ju bëmë me dije, sot po depozitojmë pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, kallëzimin për fillimin e çështjes penale kundër Ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, për kryerjen e veprës penale të shpifjes së qëllimshme ndaj Bashkisë së Tiranës dhe Kryetarit të saj, për shkak të kryerjes së veprimtarisë shtetërore, në lidhje me shitjen e tokës tek "Tajvani", parashikuar nga neni 240 i Kodit Penal" tha sot zëdhënësja e Bashkisë së Tiranë.
Më tej ajo shtoi se Bashkia e Tiranës është duke përgatitur njëkohësisht kallëzimin penal ndaj Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, për shkak të deklarimeve të fundit publike, që gjithashtu përbëjnë shpifje të qëllimshme për punën e Bashkisë së Tiranës dhe Kryetarit të saj.
k.k/NOA