English

Gripi i derrit, Shqipëria shënoi viktimën e parë

Nga Blerina Ahmetaj

Tiranë, 3 Dhjetor NOA Përmbledhje / - Shqipëria regjistron viktimën e parë prej gripit të derrit AH1N1.

Ai është një 57 vjeçar nga Sukthi i Durrësit i cili vdiq të mërkurën në mëngjes pa mundur t'i shpëtojë virusit pandemik edhe pas disa ditësh kurim në spitalin e sëmundjeve të brendshme në Tiranë apo Sanatoriumi siç njihet ndryshe.

Në një dalje për mediat, drejtori i politikave shëndetësore në ministri, Pëllumb Pipero theksoi se viktima ishte një pacient kronik dhe vuante nga kanceri i prostatës.

"Pacienti i ardhur me urgjencë nga shërbimi i terapisë intensive i spitalit të Durrësit dhe i hospitalizuar në spitalin universitar të sëmundjeve të brendshme "Shefqet Ndroqi në Tiranë vuante prej shumë kohësh nga tumori beninjë i prostatës si dhe kishte kaluar dhe Infarkt Miokardi të një forme të agravuar. Diagnoza e infeksionit me AH1N1 u konfirmua brenda ditës pas analizave virologjike të realizuara në laboratorin e virologjisë në ISHP", u shpreh Pipero.

Ministria i ka bërë thirrje popullatës të ketë kujdes pasi ky virus është shumë i rrezikshëm sidomos tek pacientët kronikë.

"të gjithë grupet e popullatës të konsideruara si grupe rrisku nga OBSH duhet të tregojnë kujdes maksimal duke u konsultuar e kërkuar ndihmën mjekësore në familje nga mjeku I familjes apo specialist në çdo rast që kanë shenja klinike qoftë dhe të një gripi të zakonshëm, pasi siç jeni në dijeni rastet e infektuara me influencë stinore apo me gripin e zakonshëm po shtohen me ritme të shpejta çdo ditë por dhe të evitojnë në maksimum mjediset e frekuentuara", tha Pipero.

Aktualisht numri i të prekurve nga virusi i gripit të derrit i ka kaluar të 200 rastet. por numri i tyre rritet përditë duke u konfirmuar në laboratorin e Virologjisë me shumë se 6 raste çdo ditë.

Ndërkohë që QSUT ka konfirmuar disa raste të rënda me ah1n1 të cilat po trajtohen në reanimacion.

Mjekët bëjnë thirrje për rritje të kujdesit shëndetësor dhe paraqitjen e menjëhershme te mjeku i familjes për çdo simptomë gripi apo të ngjashme me të.

b.a/e.l/NOA blerina.ahmetaj@noa.al

KOMENTE