Tiranë, 3 dhjetor, NOA Update - "Hap kutitë ose largohu!". Kjo do të jetë motoja e aksionit politik që pritet të ndërmarrë opozita në ditët e ardhshme, pasi kryeministri nuk ka kthyer përgjigje për hapjen e kutive të 28 qershorit edhe pas afatit 10 ditor të vendosur nga opozita.
Kjo deklaratë e bërë nga kreu i Partisë Socialiste Edi Rama ka nxjerrë në pah sërish vendosmërinë e opozitës për të ngulur këmbë në hapjen me çdo kusht të kutive të votimit, duke e shoqëruar tashmë me kërkesën për largim të Berishës dhe zgjedhjeve të parakohshme.
"Ne nuk hyjmë në parlament nëse nuk çmontohet korrupsioni elektoral i 28 qershorit në këtë vend. Nuk hyjmë as pa u rishprehur vullneti i qartë për të ngritur shtetin e së drejtës. Tani nuk kërkojmë thjesht kutitë, por edhe largimin e qeverisë. "Hap kutitë ose largohu" do të jetë motoja jonë", tha prerë para deputetëve të grupit parlamentar socialist, kreu i PS-së Edi Rama.
Duke përmendur qëndrimin përfundimtar të Berishës, mbajtur dje në finishin e ultimatumit të opozitës, Rama tha se ai doli nga roli që luante kur pa 100 mijë vetë në bulevard dhe kur pa sesi çështja e kutive nuk ishte vetëm e Partisë Socialiste
"Kuptoi më në fund se e vërteta e 28 qershorit nuk mund të asgjësohej bashkë me kutitë.
Nga njeriu që mori peng kutitë për të fshehur vjedhjen e votave, ai u ndje peng i makthit", tha Rama.
Më pas ka përmendur shthurjen spektakolare të gjuhës duke lëshuar një ortek shpifjesh dhe kërcënimesh, mafioze me qëllimin e trembjes së njerëzve dhe hapjes së një lufte të humbur me opozitën.
Rama bëri me dije ndër të tjera se protesta e ardhshme e opozitës do të jetë edhe më e ashpër se ato të zhvilluara deri tani, me synimin e vetëm, largimin e kësaj qeverie që është e fabrikuar mbi një mafie elektorale.
a.ymeraj/NOA
Â
Â
Â
Â
Â