"Kriza ka qenë një alarm zgjimi. Ne e pranuam këtë gjë në takimin tonë në Uashington gjatë muajit prill, me politikëbërësit e nivelit të lartë nga rajoni, nga BE dhe nga institucionet financiare ndërkombëtare"
Nga Ardian Fullani* Foto: NOA/LSA
Guvernator i Bankës së Shqipërisë
Është kënaqësi e madhe për mua të hap punimet e këtij takimi dy ditor me temë "Ndërtimi i kapaciteteve për hartimin dhe zbatimin e politikave", të cilin Banka e Shqipërisë e organizon për herë të parë në Shqipëri në bashkëpunim me Qendrën e Ekselencës Financiare në Ljubjanë (CEF), si dhe me mbështetjen e Komisionit Evropian, Bankës Qendrore Evropiane dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. Duke ju uruar mirëseardhjen në qytetin e Tiranës më lejoni të shpreh falenderimet e mija për punën e jashtëzakonshme që CEF ka kryer gjatë këtyre viteve në dobi të vendeve të rajonit tonë.Â
Qysh nga takimi i muajit prill në qytetin e Uashingtonit, efektet e krizës globale shtuan prezencën e tyre në rajonin tonë. Megjithatë, siç e kam theksuar dhe herë të tjera, ato nuk shkaktuan probleme të menjëhershme dhe të mëdha ekonomike dhe financiare. Shtrirja e ndikimeve të krizës në sektorin e ekonomisë reale, në buxhetet qeveritare si dhe në sektorët financiarë të rajonit, u pengua nga politikat e shëndosha makroekonomike të ndërmarra vitet e fundit si dhe nga mbështetja e pashembullt me fonde nga ana e FMN-së, në bashkërendim me Komisionin Evropian dhe BERZH-in.Â
Për shkak të kësaj ndërhyrjeje, por kryesisht për meritë të politikave shumë të kujdesshme të ndjekura prej bankave qendrore në lidhje me stabilitetin financiar dhe mbikëqyrjen financiare, rajoni shmangu jo vetëm krizat binjake të sistemit bankar dhe të tregut valutor, por edhe çdo formë tjetër kolapsi.Â
Megjithatë, kriza ka qenë një alarm zgjimi. Ne e pranuam këtë gjë në takimin tonë në Uashington gjatë muajit prill, me politikëbërësit e nivelit të lartë nga rajoni, nga BE dhe nga institucionet financiare ndërkombëtare.Â
Tashmë që ne kemi arritur të shmangim krizën, duhet të nisim vlerësimin e dëmeve anësore që ka shkaktuar reagimi ynë ndaj presioneve të krizës. Në këtë drejtim, është shumë e rëndësishme të vlerësojmë jo vetëm qëndrueshmërinë afatgjatë të ekuilibrave të rajonit, por duhet të analizojmë me kujdes dhe efektivitetin e politikave tona afatshkurtra. Unë e vlerësoj thelbësore planifikimin dhe zbatimin e lëvizjeve tona të së ardhmes në mënyrë inteligjente për kthimin e krizës në drejtim të kundërt, drejt normaliteteve të reja.Â
Ndërkohë që ende nuk jemi jashtë rrezikut, është e rëndësishme të sigurohemi që oreksi i madh fiskal i vitit të kaluar që karakterizoi tërë rajonin, nuk do të vazhdojë të jetë fenomen mbizotërues i këtij normaliteti të ri. Aksioni ynë i momentit duhet të ndalet imtësisht në gjykimin e thellë të secilit prej elementëve të veçantë të regjimeve të politikave tona, duke filluar që nga hartimi i politikave monetare e duke vazhduar me ankorimin e tyre si dhe ndërtimin e kapaciteteve të nevojshme për efikasitet më të madh të politikës monetare në të ardhmen.Â
Janë këto argumentet për të cilat ne ramë dakord që të organizojmë këtë takim të sotëm, vazhdim i një procesi të pandërprerë reflektimi dhe reformash.Â
Në diskutimet tona këtu në Tiranë, do të trajtojmë fillimisht çështje që lidhen me hartimin e politikës, të cilat janë themelore për të përgatitur kushtet për kalimin te çështjet e tjera. Kemi sugjeruar paraprakisht disa pyetje që mund të inkurajojnë diskutimin, duke mbuluar disa nga çështjet kyçe që si profesionist i fushës, më kanë mbetur në mendje pas një lundrimi të gjatë nëpër krizë.Â
Çështjet e hartimit të politikës përfshijnë pyetjet si: Sa hapësirë ka pasur për të manovruar në përdorimin e masave të veprimit të politikës në nivel makro? Sa larg (në të ardhmen) duhet që politika fiskale të ndërtojë një amortizator kundër rreziqeve makro-financiare? Deri ku kanë qenë në gjendje regjimet mbikëqyrëse dhe ato të politikës monetare të na mbrojnë nga kriza? Dhe, a ka nevojë të tërheqim lloje të reja fluksesh kapitali - ndoshta për të ndryshuar modelin e rritjes në rajon?Â
Ky diskutim lidhur me hartimin e politikës do të na çojë tek çështja e dytë, e cila përfshin rolin e ankorave të jashtme të politikës monetare. Një pikë konsensusi në takimin tonë në Uashington ishte rishikimi i disa aspekteve të këtij procesi ankorues dhe i mënyrës se si ai bashkëvepron me përpjekjet e vendeve, për të ndërtuar ankorat e tyre të brendshme përgjatë kohës.Â
Ka disa pyetje rreth rolit të ardhshëm të ankorave të brendshme dhe të jashtme. Ato përfshijnë gjykimin nëse nevojitet më shumë bashkërendim dhe sinergji në dialogun tonë mbi politikën realizuar me FMN dhe Komisionin; si mund të thellohet mbikëqyrja fiskale e Komisionit (nëpërmjet Programit Ekonomik dhe Fiskal, Programit Ekonomik të Para-Aderimit, Programeve të Konvergjencës) për të shërbyer më shumë si mjet angazhimi?Â
Deri ku arrijnë mësimet e nxjerra për ankorat monetare dhe mekanizmat e matura të bashkërendimit për pranimin e rajonit tonë në BE?; Si mund të zhvillojmë ne - përfshirë këtu edhe aktorët e jashtëm -ankora të brendshme më të fuqishme në forma të ndryshme, duke variuar nga strukturat fiskale afatmesme deri te mekanizmat më të efektshëm të bashkërendimit të politikave?.Â
Në përfundim, do të trajtojmë çështjen e ndërtimit të kapaciteteve. Ne ramë dakord të trajtojmë këtë çështje në këtë seminar, për të sjellë informacion e të dhëna operacionale në CEF, pasi kjo qendër zhvillon programin e punës së saj në këtë fushë. Ka kaluar shumë kohë ndërmjet etapës së parë të programit dhe rezultatit për efektivitetin në ndërtimin e kapaciteteve, ndonëse fatmirësisht CEF e kishte ndërmarrë iniciativën disa vite më parë, duke rritur kontributin e saj në fushat si stabiliteti financiar dhe bashkërendimi i politikave, pra CEF kryeson nisjen e kësaj iniciative.Â
Në fushën e ndërtimit të kapaciteteve, ne duhet të gjykojmë cilat janë prioritetet kryesore dhe ku janë boshllëqet që duhet të plotësohen nëpërmjet iniciativave në drejtim të seminareve e aktiviteteve trajnuese, si dhe në shkëmbimet e eksperiencave jashtë vendit.Â
Kjo do të na bëjë të gjykojmë me maturi mbi hartimin dhe zbatimin e politikës fiskale, ndërmjet të tjerave, si dhe mbi mënyrën se si politikat përshtaten me proceset e brendshme të bashkërendimit. Gjithashtu, ne duhet të identifikojmë nevojat në fushat e politikave të kujdesshme monetare, fusha ku edhe vendet anëtare të CEF nxitin shtrirjen e aktivitetit.Â
Kjo është axhenda e plotë dhe jam i sigurt se nuk do të jetë hera e fundit që ne takohemi për të shkëmbyer pikëpamjet tona lidhur me këto çështje.Â
Jam i bindur se trajtimi i këtyre sfidave në bazë rajonale do të na sjellë përfitime të pamatshme.Â
Ne mund të përfitojmë nga eksperienca e njëri-tjetrit. Ne mund të angazhohemi herë pas here në një dialog të përbashkët me aktorët e jashtëm në rajon dhe ndoshta udhëheqësit tanë politikanë mund të gjejnë mundësi të lançojnë paralelisht iniciativa reformash - për shembull, zhvillimi i reformave strukturore për të ndihmuar tërheqjen e flukseve të kapitalit në rajon.
Në këtë frymë, pres me kënaqësi të dëgjoj diskutime të frytshme - tani në Tiranë dhe në të ardhmen!
(*) Fjala e mbajtur në takimin "Ndërtimi i kapaciteteve për hartimin dhe zbatimin e politikave", 3 dhjetor 2009