Nga Klodiana Kotorri
Tiranë, 3 dhjetor NOA - Rreth nëntë muaj pasi u denoncua si e zhdukur, një 18-vjeçare denoncon në polici "tutorët" e saj duke rrëfyer se do ta shfrytëzonin për prostitucion.
M. Muça 18-vjeçe nga Kamza e Tiranës është paraqitur sot në polici ku ka denoncuar disa persona të paidentifikuar nga policia që sipas saj do e trafikonin.
Ajo është kthyer rreth nëntë muaj pas zhdukjes dhe nuk ka nguruar të japë versionin e saj në polici duke dhënë një dëshmi rrëqethëse.
Sipas saj e kishin rrëmbyer disa persona të cilët kishin si qëllim trafikimin e saj.
Policia bëri të ditur se po vazhdojnë hetimet për të zbardhur më tej detaje nëse vajza është shfrytëzuar për prostitucion.
Burime nga policia thanë për agjencinë e lajmeve NOA se adoleshentja u shpall në kërkim në mesin e muajit mars të këtij viti pasi ishte larguar pa adresë nga banesa e saj.
Sipas të njëjta burimeve, çështja në dukje e rëndë ka bërë që t'i kalojë Prokurorisë së Krimeve të Rënda, pasi adoleshentja dyshohet të jetë marrë për qëllime trafikimi dhe shfrytëzim prostitucioni, nga persona të paidentifikuar, të cilët do të hetohen për veprat penale të "trafikimit të të miturve".
Ditën e djeshme vajza është paraqitur në polici dhe në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, po punohet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
k.k/NOA/ Klodiana.kotorri@noa.al