Tiranë, 3 dhjetor, NOA - Tre nëpunëse janë vënë në ndjekje penale pas vërtetimit të ekipit hetimor se kanë lëshuar vendimin për dhënien e dy pensioneve bazuar në dokumentacione të falsifikuara.
Lajmi konfirmohet për agjencinë e Lajmeve NOA nga burimet policore të Tiranës të cilat konfirmojnë se tre të akuzuarat do të ndiqen për veprën penale të "Shpërdorimit të detyrës" në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal.
Ato janë Klodiana Basko, 34 vjeç; Elisabeta Subashi, 55 vjeç dhe Liljana Çalamani, 61 vjeç, që të treja banuese në Tiranë. Ato dyshohet se duke qenë ish-punonjëse të drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shëndetësore në Tiranë, me funksione pritëse të dokumentave, inspektore përpunuese e pensioneve dhe Kryetare e Degës së Përfitimit të Pensioneve, kanë firmosur vendimet për caktimin e pensioneve. Rasti konkret është ai i një gruaje më 11 shtator 2005, ndaj së cilës kanë përpiluar dokumentacionin përkatës të falsifikuar me synim përfitimin e pensionit në mënyrë të paligjshme duke lëshuar vendimin për caktimin e pensionit. Po ashtu më datë 28 korrik të vitit 2000, bëhet me dijeni se po mbi bazën e dokumentave të fallsifikuara, kanë lëshuar vendimin për caktimin e pensionit, për një qytetare tjetër.
n.e/NOA