English

Pa asnjë arsye tjetër, veç mosarsyes

"Sot vijon komunikimi ynë publik, në kuadrin e protestës së shpallur të të gjitha bashkive e komunave, që për shkak të përkatësisë opozitare të kryetarëve të tyre përballojnë presionin primitiv që qeveria e Sali Berishës u bën komuniteteve tona, duke shkelur Kushtetutën, Kartën Europiane të Autonomisë Vendore, ligjet e Republikës së Shqipërisë, madje edhe vetë liritë e të drejtat e njeriut"

Nga Edi Rama* (Foto: NOA/LSA)

Kryetar i Bashkisë së Tiranës

Qeveria jo-legjitime ka filluar ndërkohë një propagandë me ngjyrime fashiste, për ta shkurajuar protestën tonë, duke përhapur përditë shpifje sensacionale, lidhur me arsyet e me mjetet e kësaj proteste, si edhe duke goditur personalisht, pa asnjë kufizim etik, vetë kryetarët e bashkive.

Përditë dalin ministra pa asnjë lidhje me këtë protestë, të cilët, në vend se të bëjnë punën për të cilën paguhen nga populli, përsërisin shpifjet e Sali Berishës, madje dhe kërcënimin se kryetarët e bashkive protestuese do të përballen me ligjin.

Ndërkohë unë përsëris sot, se qeveria e Sali Berishës e ka shkelur në katër vjet plot 7 herë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe Kartën Europiane të Autonomisë Vendore, duke gjeneruar konflikt permanent kompetencash, duke nxjerrë ligje dhe vendime të papajtueshme me Kushtetutën, duke kufizuar instrumentet tanë financiarë, fiskalë e rregullatorë, në ushtrimin e detyrës sonë dhe duke cënuar çdo vit e më rëndë, në mënyrë tërësisht të paligjshme, punën e bashkive e të komunave në shërbim të komunitetit.

Pra, janë ata që na kërcënojnë ne, që duhet të përballen me ligjin dhe jo ne që kërkojmë zbatimin e Kushtetutës e të ligjit.

Ky konflikt i pambarimtë dhe kjo frymë diktati e patolerueshme, e cila po e bën të papërballueshme sfidën tonë për rritjen e investimeve e të cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarëve, madje po kërcënon për shumë bashki e komuna vetë funksionet jetike të tyre, duhet të marrë fund.

Dhe mund të marrë fund, vetëm duke respektuar pikërisht Kushtetutën, Kartën Europiane të Autonomisë Vendore e vetë ligjet e këtij vendi, jo duke shpifur për bashkitë e komunat rebele dhe duke kërcënuar kryetarët e tyre, të cilët në këto kushte të rënda për demokracinë vendore, për shtetin e së drejtës, për ekonominë vendore, nuk mund të heshtin, nuk mund të qëndrojnë duarkryq, nuk mund të mos ngrenë zërin e të protestojnë deri në rivendosjen e normalitetit demokratik e ligjor që garanton autonominë vendore.

Ne të gjithë sot në këtë shesh, jemi shërbëtorët e kryeqytetit.

Prej nesh, me plot të drejtë qytetarët kërkojnë më shumë investime në lagjet e tyre dhe shërbime më cilësore, pa harruar edhe të tjera vepra të mëdha akoma për Tiranën, si sheshi i ri "Skënderbej" apo Unaza e Madhe e Tiranës.

Të dyja janë gati për të startuar dhe të dyja pengohen pambarimisht e pa asnjë arsye tjetër, veç mosarsyes së politikës tradicionalisht të mbrapshtë të pushtetit qendror ndaj qytetit tonë.

Ashtu siç pengohet transferimi i ujësjellësit e kanalizimeve në duart e Bashkisë dhe lihet një Tiranë e tërë nën stresin e mungesës së ujit, apo të bllokimit të kanalit të radhës, vetëm e vetëm për të na akuzuar padrejtësisht sa herë ka krizë uji e për të mbajtur njëkohësisht "kalanë" e ndërmarrjes së ujësjellës -kanalizimeve në duart e partisë në pushtet.

Ashtu siç pengohet kalimi i plotë i kompetencave për menaxhimin e trafikut rrugor dhe transportit publik, për ndjekjen e procesit të ndërtimeve me leje e të legalizimeve të atyre pa leje, për shërbimet sociale e për strehimin, për mjedisin e për të gjitha fushat me radhë ku qeveria, sipas ligjit në fuqi, jo sipas dëshirave tona, duhet të kishte hequr me kohë dorë nga futja e duarve drejtpërdrejtë.

Por kësisoj pengohet në fakt në marrjen e shërbimit që meriton, vetë qytetari i Tiranës, i cili prej vitesh e vitesh të tëra është peng i kësaj politike qorre të dasisë e urretjes kur hap rubinetin e ujit, kur pret autobuzin urban, kur nuk parkon dot makinën, nuk gjen dot adresën e shtëpisë apo nuk merr dot fare përgjigje për shërbime të mirëfillta bashkiake, që veç në këtë shtet pa kokë e pa këmbë i mban pushteti qendror.

Si shërbëtorë të kryeqytetit dhe banorëve të tij, nga qendra deri në periferi, ne jemi sot në këtë shesh, për të mos u penguar shërbimet që i duhen çdo ditë Tiranës e njerëzve të saj.

Propaganda e shfrenuar e shpifjeve të këtyre kohëve të fundit ka përhapur kudo gënjeshtrën e madhe, se ne dashkemi të ndalojmë shërbimet ndaj qytetarëve, të mos pastrojmë qytetin e me radhë të tjera marrëzi të tilla mendjesh destruktive në pushtet.

Këto janë mendje që nuk duan të përballen me të vërtetat e thjeshta që na kanë nxjerrë ne të gjithë në protestë dhe u ikin këtyre të vërtetave, duke i hequr frerin edukatës më elementare njerëzore e duke u lëshuar turravrap në lëmin e të pavërtetave të gjuhës së urrejtjes.

Jo! Ne nuk duam të ndalojmë asnjë shërbim dhe pikërisht se nuk e imagjinojmë dot Tiranën të papastruar apo qytetarin e saj të pa shërbyer siç duhet prej nesh, jemi sot këtu në këtë shesh për t'u bërë me dije të gjithëve se protesta jonë bëhet për shërbime më të mira për qytetarët; për më shumë punë e cilësi jete për qytetin tonë; për shërbime më të mira dhe për më shumë punë e cilësi jete për Tiranën e të gjithëve; unë kam firmosur në emër të Bashkisë së Tiranës edhe Apelin Publik të 15 nëntorit të shkuar, ku kemi kërkuar:

Të anulohet amendamenti i majit 2009, në ligjin bazë të taksave e tarifave vendore ku qeveria, në rrugë antikushtetuese, ndërhyri direkt në përcaktimin e nivelit të tarifave, sepse tarifat vendosen mbi bazën e kostos së shërbimeve dhe s'bën vaki në botë të përcaktohen arbitrarisht nga Kryeministri i vendit për qëllime politike.

Të anulohet vendimi i tetorit 2009 që në kulmin e krizës ekonomike, bizneset e vogla me xhiro nga 5 në 8 milionë, nuk i trajton më si të tilla por si biznese të mëdha që futen në një skemë detyrimesh tatimore të papërballueshme për ta, duke i çuar masivisht drejt falimentimit dhe duke i dhënë një goditje të papërballueshme edhe buxheteve vendore që mbahen në rradhë të parë me kontributet e biznesit të vogël, sepse për më tepër sot, në një krizë ekonomike që po prek palcën e çdo biznesi, është verbëri e pashoqe të marrësh një masë të tillë, e cila do çojë në falimentim shumë biznese të vogla, me mbi 5 milionë lekë xhiro, do rrisë automatikisht çmimet e të tjerave që do mbijetojnë dhe do bjerë rëndë mbi supet e familjeve kryeqytetase dhe mbi buxhetin e Bashkisë së Tiranës.

Të bëhet më në fund, bazuar në të drejtën tonë legjitime, po pse jo edhe në premtimin e përsëritur çdo vit nga Sali Berisha, kompensimi i të ardhurave të munguara 5 vjet me radhë, në arkën e bashkive e komunave nga përgjysmimi arbitrar i taksës së biznesit të vogël në vitin 2005, sepse sa për të krijuar një ide të efektit shkatërrues të kësaj mase donkishoteske, në radhë të parë, gjatë këtyre katër viteve ne na janë hequr 4.5 miliardë lekë të reja ose konkretisht, fondet për 1762 dite pastrimi ose për 1 milionë e 550 mijë metër katrorë rrugë të asfaltuara ose për 35 shkolla të reja apo 60 shkolla të rikonstruktuara ose për 81 kopshte dhe çerdhe të reja ose për 257 mijë pemë të reja.

T'i jepet fund praktikës joeuropiane, korruptive, klienteliste e partiake të granteve konkurruese për nevojat e funksionet bazë të njësive vendore dhe pjesa e buxhetit të shtetit për njësitë vendore të ndahet në bazë të një formule bashkëkohore kriteresh objektive, ku të gjitha bashkitë dhe komunat marrin çfarë u takon, pavarësisht nga ngjyra e tyre politike, sepse ndryshe nga ç'e kemi dëgjuar shpeshherë, edhe së fundmi qeverinë e Sali Berishës e atë vetë të gënjejë, kur thotë kam trefishuar grantin apo kam katërfishuar investimet, Tirana ka përfituar në katër vjet prej buxhetit qendror, më pak se gjysmën e investimeve që më parë i merrte vetëm në 1 vit. Fjala vjen, gjatë vitit 2009, Bashkia e Tiranës përfitoi nga shpikja korruptive e Kryeministrit me grantet konkurruese vetëm 0.9 % të totalit të fondit të granteve që u bë rrush e kumbulla për fushatën elektorale.

Të aplikohen më në fund taksat e ndara, ashtu siç e përcakton Ligji Organik i Qeverisjes Vendore, këtu e dhjetë vjet më parë, lidhur me tatimin mbi të ardhurat personale dhe tatimin mbi fitimin e kompanive, sepse s'është faji ynë që këta njerëz që na qeverisin, nuk duan të dinë për ligjin në fuqi dhe as që nuk e dinë akoma se jemi i vetmi vend në Europë pa taksa të ndara mes pushtetit qendror e vendor.

Sali Berisha e ka pjesë tradicionale të politikës së tij pa vizion e as arsye përfoljen me gjuhën më të shthurur të kësaj Bashkie model, ku ne të gjithë kemi nderin e madh të punojmë, në shërbim të komunitetit të kryeqytetit.

Së fundmi, ai kërkon të imponojë shkurtime të jashtëlogjikshme të administratës, edhe pse ne kemi kryer reforma të brendshme të standardeve më të larta evropiane dhe jemi ndoshta i vetmi institucion publik shqiptar që funksionon me manual procedurash për çdo vend pune, por Sali Berisha kërkon të imponojë edhe shkurtime të pakonceptueshme edhe të numrit të punëtorëve që shërbejnë në një terren të gjerë e të vështirë.

Protesta jonë është edhe për këtë. Ne nuk e tolerojmë pushtetin qendror të bëjë kuturu hesapet tona, duke na prerë fondet nga njëra anë dhe imponuar shkurtime nëpunësish e punëtorësh nga ana tjetër.

2633 punonjësit e Bashkisë së Tiranës janë ata që administrojnë punët e kryeqytetit ditën dhe e pastrojnë atë gjatë natës, janë ata që ideojnë e projektojnë të ardhmen dhe ata që mbjellin pemë, mirëmbajnë rrugët e ndriçimin publik, çerdhet, kopshtet dhe shkollat e qytetit, ofrojnë shërbime në qendrat sociale për fëmijë e të moshuar në nevojë, e kështu me radhë deri në varrezat e Sharrës.

Askush nga ju nuk është i tepërt në këtë institucion që i ka ndërruar pamjen Tiranës dhe i ka zbardhur faqen Shqipërisë.

Në qoftë se Sali Berisha nuk ka sy të shikojë e veshë të dëgjojë, ne jemi këtu për t'ia hapur sytë e liruar veshët me fjalën e me forcën e reagimit tonë qytetar, me qytetarët dhe për qytetarët.

Nesër ne do të jemi përsëri këtu, në të njëjtën orë, për të folur për arsyet e protestës sonë, në sytë e të gjithë qytetarëve dhe për t'u komunikuar të gjithë kryeqytetasve, të cfarëdo bindjeje e përkatësie qofshin, shqetësimet e jashtëzakonshme por edhe vendosmërinë tonë, po aq të jashtëzakonshme në këtë orë të vështirë për demokracinë vendore e për ekonominë e Tiranës.

Por dua ta mbyll me krizën ekonomike, me falimentimin e prag-falimentimin e bizneseve, sidomos atyre të vogla dhe me verbërinë gjer më sot alarmante, të qeverisë së Sali Berishës, qoftë në raport me krizën ekonomike në tërësi, qoftë në raport me pasojat e kësaj krize mbi biznesin e vogël në veçanti dhe qoftë në raport me nevojat jetike të Bashkisë së Tiranës por edhe të bashkive e komunave të të gjithë Shqipërisë, në këtë kohë krize që thellohet çdo ditë.

Sali Berisha po shkatërron vendin, duke dashur ta fshehë me çdo çmim krizën ekonomike që ka pllakosur mbi Shqipëri, duke mos marrë asnjë masë të arsyeshme për përballimin e krizës ai po e rëndon përditë në mënyrën më të paarsyeshme, më të verbër e më të papërgjegjshme, barrën e krizës në kurrizin e shqiptarëve, e të gjithë shqiptarëve që nuk janë familjarë, shërbëtorë apo klientë të pushtetit të Sali Berishës. Kjo barrë po bëhet e padurueshme për bizneset, të vegjël e të mëdhenj pa dallim.

Lidhja e drejtpërdrejtë e arkës së Bashkisë sonë me fatin e biznesit lokal, sidomos biznesit të vogël, na bën sot edhe më të vendosur në mbrojtje të tij.

Sipas përllogaritjeve tona, më shumë se gjysma e bizneseve të vogla, me mbi 5 milionë lekë xhiro vjetore do të falimentonin menjëherë në rast se Sali Berisha nuk tërhiqet nga vendimi i palogjikshëm i futjes së tyre nën regjimin e TVSH-së dhe tatim fitimit në janarin e ardhshëm.

Ndërkohë, Bashkia e Tiranës do të humbte në çast, një pjesë marramendëse të fondeve të veta. E përsëris edhe këtu, se humbja që i shkakton Bashkisë së Tiranës, ky vendim i patolerueshëm është një vlerë marramendëse, e barabartë me pastrimin për 500 ditë të Tiranës, ose me 440 mijë metra katrorë rrugë të asfaltuara, ose me 10 shkolla të reja apo rikonstruksionin e 17 shkollave ekzistuese, ose me 23 kopshte dhe çerdhe të reja, ose me 73 mijë pemë të reja.

E pamundur, e papranueshme, e pakalueshme!

Biznesmenët e vegjël, të cilët janë sot në shënjestër të politikës së gabuar të Sali Berishës me financat vendore, nuk janë të majtë apo të djathtë, po janë edhe të majtë edhe të djathtë dhe në rradhë të parë, janë qytetarë që mbajnë familjet e tyre me një biznes që kërcënohet tanimë, jo vetëm nga kriza ekonomike, por edhe nga falimentimi, për shkak të një politike që nuk e merr parasysh krizën.

Duke protestuar sot për të drejtat kushtetuese, demokratike e ligjore, të pushtetit vendor, për veten tuaj e për familjet tuaja që mbahen edhe me rrogën e kërcënuar fare padrejtësisht prej Sali Berishës, ju të gjithë protestoni edhe për të drejtën për të jetuar me punë të ndershme, të atyre dhjetëra mijëra familjeve që ushqehen me biznesin e tyre të vogël, si edhe për vetë fatin e ekonomisë vendore kudo ku jetoni e punoni.

Ja pse sot duhet të ktheheni të gjithë në shtëpi krenarë, që përveç punës së përditshme në shërbim të Tiranës, ju bëtë edhe një detyrë qytetare për të mbrojtur qytetin e qytetarët, duke protestuar për garantimin e të gjitha shërbimeve ndaj tyre.

Nesër do të jemi përsëri këtu, pas përfundimit të ditës së punës në shërbim të njerëzve, për t'i shërbyer po atyre me protestën tonë".

(*) Fjala e mbajtur dje në Bashkinë e Tiranës

KOMENTE