Durrës, 3 dhjetor NOA - Kryeministri, Sali Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja, zonja Liri Berisha mori pjesë sot në përurimin e rikonstruksionit të Qendrës së Zhvillimit rezidencial në Durrës.
Qendra e cila përurohet në ditën botërore të personave me aftësi të kufizuar është financim i Bankës Botërore dhe buxhetit të shtetit me vlerë rreth 300 milion lekë.
Kjo qendër ofron një shërbim të specializuar dhe cilësor personave me aftësi të kufizuar me qëllim zhvillimin harmonik të personalitetit të tyre dhe integrimin sa më të mirë në shoqëri.
Në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha  u shpreh se Dita botërore e personave me aftësi të kufizuar  është ditë e apelit të fuqishëm e ndërgjegjes qytetare e njerëzore të mbarë vendit, të qeverisë dhe shtetit shqiptar për një përkujdesje gjithnjë në rritje për këta persona.
Kryeministri garantoi të gjithë punonjësit socialë dhe edukatorët të angazhuar me këtë kategori shoqërore si në sektorin publik dhe atë privat se do të kenë mbështetjen e plotë të qeverisë dhe se kërkesat e tyre do të marrin përgjigje pozitive nga strukturat shtetërore. "Ne kemi një vlerësim të jashtëzakonshëm për punën tuaj, për përkushtimin tuaj, për rolin dhe kontributin që jepni në një nga fushat më delikate, më të dhimbshme, me të rëndësishme , të një shoqërie qytetare. Ndaj dhe unë dua tu garantoj ju, dua të garantoj punonjësit misionarët e vërtetë të kësaj fushe që funksionojnë në sektorin publik apo privat se do të kenë mbështetjen  e plotë dhe totale të qeverisë, se kërkesat e tyre janë marrë parasysh  dhe do të realizohen nga kjo qeveri" shtoi më tej kryeministri.
Kryeministri premtoi se në 4 vitet që vijnë investimet në qendrat e rehabilitimit polivalente për përmirësimin dhe lehtësimin e jetës së personave me aftësi të kufizuar do të rriten edhe më shumë.
"Unë dua të garantoj familjet personave me aftësi të kufizuar dhe vetë këta persona se qeveria e cila ka provuar në 4 vitet që shkuan të rrisë shpenzimet në këtë sektor më shumë se çdo qeveri tjetër në Evropë, shpenzimet në këtë sektor kanë pasur një rritje prej rreth 50 %. Ju siguroj se 4 vitet që vijnë një rritje edhe më e madhe, një investim edhe më i fuqishëm në qendrat e rehabilitimit, polivalente do të bëhet' përfundoi fjalën e tij kreu i qeverisë.
k.k/NOA
Â