Tiranë, 3 dhjetor NOA - Presidenti i Republikës, Bamir Topi dhe njëkohësisht Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, priti sot paradite në Presidencë grupin e akademistëve të Kursit të Lartë njëvjeçar të Oficerit, që po zhvillohet në kuadrin e Akademisë Ushtarake.
Presidenti Topi zhvilloi një takim të ngrohtë dhe miqësor me akademistët dhe pedagogët e tyre, të cilët e informuan Komandantin e Përgjithshëm rreth praktikave mësimore, qëllimeve të kursit për të përgatitur sa më cilësisht dhe bashkërenduar veprimet e forcave tona të armatosura me standardet më të mira të vendeve të NATO-s.
Gjatë takimit kursantët vunë në dukje edhe mundësitë e ofruara që ata të ndjekin edhe ligjërues nga shkolla të ndryshme të vendeve aleate, të kryejnë vizita në Komandën e Napolit, në institucionet kushtetuese, etj., në mënyrë që të përvetësojnë doktrinën ushtarake, taktikat dhe dijet më të mira për të qenë sa më të përgatitur në pjesëmarrjet dhe kontributin e ardhshëm në misionet paqeruajtëse dhe për situata të emergjencës civile. Presidenti Topi shprehu kënaqësinë për këtë takim, që nuk është vetëm një detyrim institucional, duke theksuar rëndësinë e kompletimit të nivelit akademik si dhe rritjen dhe përsosjen e cilësisë së kuadrove ushtarake, sidomos sot "kur jemi edhe në prag të 97-vjetorit të themelimit të Forcave të Armatosura shqiptare". Kreu i shtetit shqiptar nënvizoi vlerën e këtij kursi dhe fillimin e këtij procesi institucionalizues, që do të shërbejë si pikë e rëndësishme referimi për të gjithë ata kuadro ushtarake që do të kërkojnë të kualifikohen më tej në të ardhmen.
k.k/NOA