English

Rama: Opozita nuk ka dhënë ultimatum, por afat për reflektim

Lexoni deklaratat e Ramës mbrëmjen e së mërkurës, si dhe në ditën e parë dhe të fundit të protestës treditore

Tiranë, 3 Dhjetor NOA - Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, në një dalje për mediat mbrëmjen e së Mërkurës, vuri në dukje se ishte dita e fundit e afatit të opozitës për reflektim.

Por shtoi se "opozita nuk ka dhënë ultimatum, por afat për reflektim".

Rama në këtë kuadër i deklaroi Berishës në distancë, se "nuk do t'ia dalësh kurrë të trembësh popullin opozitar që nuk ka darë për të shkulur dhëmbë, po ka grusht që do t'i thyejë, një e nga një, dhëmbët e korrupsionit tënd, dhëmbët e pushtetit të familjes tënde, dhëmbët e pushtetit të shërbëtorëve të tu dhe të klientëve e sekserëve të tu, dhëmbët e kësaj qenefpolitike që e ke kthyer në një gojë të stërmadhe që u ka nxjerrë shqiptarëve qejfit atdheun e tyre".

Pas mbylljes së maratonës treditore të protestës pranë Kryeministrisë, Edi Rama kishte deklaruar se i jepte në mënyrë ultimative 10 ditë afat Berishës për të hapur ose jo kutitë, ndryshe, do të rrëzohej qeveria:

"Beteja jonë për hapjen e kutive të 28 qershorit, për transparencën e plotë të zgjedhjeve, për legjitimin e parlamentit shqiptar do të vazhdoj më tej, në një betejë të rezistencës aktive, politike e qytetare kudo, çdo ditë, e me çdo mjet të protestës, përballë një qeverie, që brenda 10 ditësh duhet të zgjedhë përfundimisht: Ose të hapë kutitë, ose të pranojë rënien e saj".

Për të përforcuar deklaratën, Rama sqaroi se "rrugë të mesme mes lirisë dhe mungesës së lirisë nuk ka, rrugë të mesme mes të drejtës dhe padrejtësisë nuk ka, zgjedhje të lira ose jo të lira, edhe të drejta edhe të padrejta, edhe me apo standarde dhe pa standarde nuk ka".

Kurse vuri në dukje edhe se "ne nuk po kërkojmë pushtetin, por të drejtën tonë demokratike e ligjore për të parë votën nga ka dalë pushteti. Në qoftë se pushteti na mohon të drejtën të shohim, ne do t'i mohojmë pushtetit, të drejtën që të na qeverisë".

Kjo deklaratë e Ramës vinte dy ditë pasi në çelje të protestës, kishte deklaruar se në qoftë se qeveria s'ka kurajë të bëjë bashkë me opozitën transparencën e zgjedhjeve, duke hapur kutitë në sytë e publikut për të marrë të gjitha masat ligjore, që çdo shkelës i ligjit në këtë proces zgjedhor të çohet para drejtësisë dhe çdo përmirësim ligjor të bëhet nga parlamenti, atëherë s'ka as arsye që vetë qeveria të qëndrojë mbi kutitë e mbyllura.

Dhe në këtë kuadër, theksoi: "Shkurt e troç: Në qoftë se kutitë do të mbahen forcërisht të mbyllura, ne do të kërkojmë me forcë largimin e qeverisë dhe zgjedhje të parakohshme".

e.l/e.r/NOA Lexoni më shumë mbi argumentin e ditës:

Berisha: Rama më solli mesazh, ja përgjigjja që i jap unë publikisht

Rama i përgjigjet akuzave të Berishës: Lejet e ndërtimit s'i dhashë unë, por KRRT

"Dosja me abuzime 750 milionë euro", kush janë njerëzit që denoncoi Berisha

KOMENTE