Shkup, 3 dhjetor, NOA - Pas datës 7 dhjetor kur pritet edhe vendosja e ecurisë së proceseve euro-integruese për Maqedoninë, opozita shqiptare pritet të fillojë frontin e ri duke ndërmarrë masa demonstrative lidhur me pakënaqësitë dhe dështimin e qeverisjes aktuale në procesin e integrimit në BE dhe NATO.
PDSH po planifikon strategjinë e re të veprimit pas 7 dhjetorit dhe kjo parti tanimë ka ripërsëritur qëndrimet për paaftësinë dhe mosgatishmërinë e qeverisë aktuale VMRO-DPMNE dhe BDI për intensifikimin e proceseve euro-integruese.
Fronti i ri politik i ndërmarrë nga PDSH-ja do ti kumtohet edhe diplomatëve perwndimor, të cilët edhe më parë janë të njohur me pakënaqësitë e partisë shqiptare në opozitë, e cila tashmë disa muaj po bojkoton parlamentin. Zyrtarë të PDSH theksojnë se pikat e tyre janë të qarta në marrëveshjen e re të propozuar, e cila si synim parësor ka edhe integrimin e vendit në strukturat euro-atlantike dhe zhbllokimin e këtij procesi të bllokuar nga qeverisja aktuale.
"Fronti ynë do të jetë i gjerë dhe qysh tani kemi mbështetje të gjerë nga shoqata dhe subjekte të ndryshme politike e joqeveritare. Besojmë se edhe ata që deri tani kanë pasur mëri apo mëdyshe për projektin tonë, do të na bashkangjiten", ka theksuar një zyrtar i lartë i kësaj partie, duke paralajmëruar se në vijim janë kontaktet e vazhdueshme edhe me personalitete publike vendore dhe ndërkombëtare, për menaxhimin e situatës pas mbledhjes së Këshillit të BE-së, kur priten rezultate pesimiste sikur në rastin e Bukureshtit, kur pasoi vetoja greke që bllokoi anëtarësimin në NATO. Ndërkohë, nga partitë tjera kanë theksuar se po ndjekin situatën dhe do të deklarohen dhe do të ndërmarrin masat e nevojshme pas 7 dhjetorit dhe vendimit të Këshillit të BE-së. Përveç subjekteve politike, protestat pritet të pasojnë edhe nga ana e shoqatave joqeveritare, por edhe Lidhjet studentore, të cilat janë të pakënaqura me zhvillimet politike në vend dhe bllokimin e proceseve euro-atlantike.
NOA-INA