Uashington, 3 dhjetor, NOA - Strategjia e re e shpallur dy ditë më parë nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shtimin e 30 mijë trupave ushtarake në Afganistan po ndesh një rezistencë të fortë në Kongres, jo vetëm nga republikanët, por edhe vetë demokratët.
Kështu, në seancën e dhomës së përfaqësuesve, bëhet me dijeni se demokrati nga Teksasi Llojd Dogget tha se presidenti po e fut konfliktin në një fazë më të gjatë, ndërsa demokrati nga Ohajo Denis Kucinich tha se njerëzit në Afganistan dëshirojnë që trupat amerikane të jenë jashtë vendit të tyre.
"Rritja e trupave me 40 përqind dhe pastaj zvogëlimi i tyre, brenda një periudhe 18 mujore është jorealiste. Ne kemi luftuar në Afganistan me një plan me këste—më shumë trupa, më shumë muaj, edhe më shumë para. 2011-ta nuk do të shënojë fundin e kësaj lufte, por do të shënojë vetëm fillimin e një kësti tjetër", mësohet të jetë thënë gjatë seancës.
Sikundër u tha hapur se SHBA është duke luftuar "për një luftë të gabuar në vend të gabuar dhe në kohë të gabuar".
Nga ana e tij, presidenti Obama ka mbrojtur idenë se gjithsesi, nuk është e thënë se trupat amerikane do të qëndrojnë përjetësisht në Afganistan, madje ai caktoi caktuar korrikun e vitit 2011 si momentin e parë të tërheqjes së trupave.
Vetëm se tani sipas tij duhet një përqendrim i ri forcash atje për t'i dhënë goditjen e fundit talebanëve të cilët së fundmi kanë treguar se janë përforcuar.
Lidhur me këtë, sekretari Gejts, sekretarja Klinton dhe admirali Mullen i thanë Kongresit se për dështimi në mposhtjen e talibanëve në Afganistan do ta bënte Amerikën më të pambrojtur ndaj sulmeve të ardhshme.
Por vendosja e datës së largimit është parë me dyshim nga kongresmenët duke thënë se ky nuk lëshon një mesazh të mirë për armikun.
Ndërkaq, një çështje mjaft e debatuar për trupat shtesë ka qenë edhe ajo lidhur me fondet që ato kërkojnë, për të cilat u tha se shifra prej 30 miliardë dollarësh që komunikoi presidenti Obama nuk është aq, por do të shkojë 40 miliardë në të vërtetë.
n.e/NOA