English

Tirana zyrtare, si e mbrojti pavarësinë e Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare

Shqipëria paraqet argumentet e saj para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës

Tiranë, 3 Dhjetor NOA - Shqipëria paraqiti argumentet gojore para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës. Vendi ynë, është angazhuar që nga fillimi i këtij proçesi me një ekip të njohur ligjor vendas dhe ndërkombëtar, të drejtuar nga juristi gjerman, Profesori Jochen Frowein.

Proçesi filloi me miratimin më datë 8 tetor 2008 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara të rezolutës 63/3 të një kërkese të Serbisë për një opinion këshillimor nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, me pyetjen: "A është Deklarata e Njëanshme e Pavarësisë nga Institucionet Provizore të Vetëqeverisjes së Kosovës në Përputhje me të Drejtën Ndërkombëtare?"

Me fillimin e proçedurave ligjore para Gjykatës, në fazën e parë që përfundoi në 17 prill 2009, Shqipëria dhe 36 shtete, përfshirë Kosovën, paraqitën qëndrimin e tyre me shkrim para Gjykatës.

Në fazën e dytë, që përfundoi me datë 17 korrik 2009, Shqipëria dhe 14 shtete, përfshirë Kosovën, dorëzuan komentet e tyre mbi qëndrimet e datës 17 prill.

Thelbi i qëndrimit të Shqipërisë është se pavarësia e Kosovës është plotësisht e ligjshme dhe e bazuar në të drejtën ndërkombëtare.

Në favor të këtij qëndrimi Shqipëria paraqiti një numër të konsiderueshëm argumentesh, ndër të cilat:

1. Deklarata e Pavarësisë është miratuar nga përfaqësuesit legjitimë dhe të zgjedhur në mënyrë demokratike, si shprehje e vullnetit të popullit të Kosovës dhe jo nga Institucionet Provizore të Vetëqeverisjes së Kosovës.

2. Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB qëllimisht e ka lënë të hapur mënyrën e rregullimit të statusit përfundimtar të Kosovës.

3. Deklarata e Pavarësisë së Republikës së Kosovës e datës 17 shkurt 2008, nuk është hedhur poshtë, kundërshtuar apo marrë ndonjë veprim në kundërshtim me këtë deklaratë as nga Këshilli i Sigurimit, as nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm në Kosovë, dhe as nga Asambleja e Përgjithshme.

4. Populli i Kosovës është i njohur si i tillë në disa dokumente nga disa organizma duke përfshirë këtu edhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara, dhe për rrjedhojë gëzon të drejtën për vetëvendosje sipas të drejtës ndërkombëtare.

5. Deklarata e Pavarësisë nuk është as në tejkalim të kompetencave të përfaqësuesve të zgjedhur në mënyrë demokratike të popullit të Kosovës dhe as në shkelje të normave detyruese të së drejtës ndërkombëtare.

6. Për sa i përket parimit të moscënimit të integritetit territorial, Kosova, bazuar, ndër të tjera, edhe në të drejtat që ka gëzuar si pjesë konstitutive e ish-RFJ, në bazë të Kushtetutës së 1974-ës, ka ushtruar të drejtën e saj për vetëvendosje.

7. E drejta ndërkombëtare në vetvete nuk e rregullon proçedurën e miratimit të aktit të shpalljes së pavarësisë së një populli, formën e tij, apo ligjshmërinë e tij, përveç mosnjohjes në rastin e ndërhyrjes nga jashtë nga një shtet tjetër dhe/ose kur një shpallje e tillë vjen në kundërshtim me norma detyruese të së drejtës ndërkombëtare apo me forcë të armatosur. Rasti i Kosovës nuk bie nën asnjërën nga dy kategoritë e fundit, por është shprehje legjitime e vullnetit të popullit të saj.

Në konkluzion të qëndrimit të saj, Shqipëria i ka kërkuar Gjykatës të deklarojë që Deklarata e Pavarësisë e Kosovës e 17 shkurtit 2008 është në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare.

Opinioni këshillimor i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, i cili nuk është ligjërisht i detyrueshëm, do të jepet nga Gjykata në pranverën e vitit 2010. Sidoqoftë, cilido që të jetë opinioni këshillimor, ai nuk do të ketë asnjë efekt ligjor mbi pavarësinë e Kosovës.

Përbërja e Delegacionit të Republikës së Shqipërisë:

Gazmend Barbullushi, Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Holandës

Prof. Jochen Froëein, Këshilltar Juridik - Folës

Prof. Terry D. Gill, Këshilltar Juridik - Folës

Gentian Zyberi, Bashkë-Këshilltar

Ledia Hysi, Drejtoreshë e Çështjeve Juridike dhe e të Drejtës Ndërkombëtare, Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë

Sami Shiba, Drejtor për Kosovën, Maqedoninë dhe Malin e Zi, Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë

Genc Pecani, Ministër Fuqiplotë, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Holandës

a.b/e.r/NOA

KOMENTE