English

Topalli: Do bëjmë gjithçka për fëmijët me aftësi të kufizuar

Tiranë, 3 dhjetor NOA - "Të ndërtojmë një botë të fëmijëve ku askush nuk është i përjashtuar. Më shumë se gjithçka ata kanë nevojë për dashuri dhe ngrohtësi", tha sot Kryetarja e Kuvendit e ftuar mes fëmijëve me aftësi të kufizuara në qytetin e Shkodrës, në ditën ndërkombëtare të personave me aftësi të kufizuar.

Fëmijët i treguan Kryetares së Kuvendit punimet e tyre artistike, punimet artizanale ndërsa me talentin e tyre ata krijuan një atmosferë shumë të këndshme nëpërmjet tingujve të bandës së tyre frymore, me pjesë të ndryshme klasike por edhe tradicionale shkodrane.

"Mesazhi i sotëm i këtyre fëmijëve, me punimet e tyre, me zërin e tyre të mrekullueshëm me pasionin e tyre për muzikën, për pikturën, për jetën, është një mesazh shumë i fortë. Është mesazhi i potencialit të tyre.

Bota e fëmijëve është një botë e mrekullueshme. Të gjithë fëmijët janë të mrekullueshëm. Dhe në duhet të bëjmë gjithçka që të krijojmë një botë ku askush nuk është i përjashtuar.

Fëmijët me aftësi të kufizuar gëzojnë të gjithë të drejtat dhe ajo që ne duhet të bëjmë është t'i mbështesim ata të shprehin gjithë talentin e tyre. Të bëjmë gjithçka për mbrojtjen dhe pjesëmarrjen e tyre në jetën aktive bashkë me fëmijët e tjerë' tha Topalli.

Kryetarja e Kuvendit, vlerësoi dhe çmoi të gjithë mësuesit, punonjësit socialë dhe të gjithë ata që u japin dashuri këtyre fëmijëve.

Ajo tha se këta fëmijë ashtu si të gjithë fëmijët e Shqipërisë do të gjejnë në Kuvendin e Shqipërisë gjithnjë dyert e hapura.

k.k/NOA

KOMENTE