English

Trafikoi për prostitucion miken e tij, ekstradohet nga Greqia i kërkuari

Tiranë, 3 dhjetor NOA - Ekstradohet nga Greqia një 30-vjeçar i shpallur në kërkim për "shfrytëzim për prostitucion".

Julian Mingo 30-vjeç nga Korça është ekstraduar sot nga Athina e Greqisë pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, më datë 11 prill të vitit 2006, ka vendosur për të, masën e sigurisë "arrest në burg", për kryerjen e veprës penale "shfrytëzim prostitucioni në rrethana rënduese".

Julian Mingo akuzohet se në verën e vitit 1997, së bashku me dy persona të tjerë të paidentifikuar, kanë shkuar në fshatin Liqenas, Korçë, ku banonte shtetasja K. XH., me të cilën ai kishte njohje familjare dhe përmes mashtrimit dhe përdorimit të dhunës e kanë dërguar atë në Itali ku është shfrytëzuar prej tyre si prostitutë. Në verën e vitit 1997 Mingo ka takuar shtetasen K.Xh. dhe i ka propozuar asaj të shkonin në plazh.

Pasi ajo ka pranuar dhe ka hipur në automjet, e Mingos në bashkëpunim me të tjerë, i kanë mbyllur gojën dhe e kanë kërcënuar duke përdorur dhunë. Vajza është mbajtur disa ditë në banesa të ndryshme, në Lezhë, Durrës dhe Vlorë.

Më pas, bashkëpunëtorët e 30-vjeçarit, e kanë çuar atë në Itali, ku e kanë shfrytëzuar si prostitutë për rreth 8 vjet. Nga Italia, e dëmtuara është deportuar në Shqipëri ku dhe ka bërë kallëzimin përkatës pranë organeve kompetente. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Athinën më datën 7 korrik të këtij u bë i mundur arrestimi me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë, i shtetasit Julian Mingo.

k.k/NOA

KOMENTE