English

Tri ditë të veçanta për Janis Ricos, dimensione artistike të poetit të madh

Nga Milena Selimi

Tiranë, 3 dhjetor, NOA - "Qytetërimi është kapitulli më i madh i çdo populli, ndërsa gjuha është e mira më madhe e çdo qytetërimi. Thesari më i çmuar i gjuhës është poezia, Fjala poetike, me të cilën poetët e mëdhenj të çdo kombi i dhurojnë mbarë botës trashëgiminë e tyre intelektuale…

Dhurues i tillë bujar dhe shprehës i denjë i "atdheut" të tij "të hi-dhur", Greqisë, ka qenë dhe do të jetë Janis Ricos. Prandaj edhe ne nderojmë këtu në Shqipëri poetin dhe dhuratat e tij intelektuale".

Me këto fjalë dje në Tiranë, në ambientet e TKOB-së, ambasada greke dhe Fondacioni Grek i Kulturës në Shqipëri, njoftuan fillimin e një seri veprimtarish artistike në kuadër të 100- vjetorit të lindjes së poetit me përmasa ndërkombëtare Janis Ricos.

Merrnin pjesë drejtori i Fondacionit Grek Jorgos Jakumis; drejtori i TKOBS Zhani Ciko; rektori i AAB në Tiranë, Petrit Malaj; aktorja Ema Andrea' Vladimir Myrtezai, etj.

Tri ditë veprimtari për artistin e fjalës, ngjyrës dhe tingullit.

"Poezia duhet të jetë një prijës lufte dhe lumturie, një armë në duart e luftëtarit dhe një flamur në duart e lirisë", shkruante poeti i famshëm grek.

"Epitaf" (1936), vepra e frymëzuar nga turbullirat e Selanikut dhe përleshjet e punëtorëve solli muzikën që Mikis Theodhorakis kompozoi mbi këto vargje, shkëndijat e para të revolucionit kulturor në Greqi.

Poezia e Ricos-it shquhet për gjerësinë e ndjenjës së mendimit, për pasionet e fuqishme luftarake, larminë e pafund të pamjeve, variacioneve të motiveve, figurave, ritmeve të brendshme, duke paraqitur një botë të trazuar, brenga, ligjërime, himne, marshe për njeriun e thjeshtë grek

"Ricos është kaq i madh, sa të tremb me poezinë e tij", u shpreh aktorja Ema Andrea, e cila në mbrëmje interpretoi disa fragmente nga poezia e Janis Ricos.

Ai cilësohet si një ndër poetët më të mëdhenj të shekullit të XX. Vepra e parë e tij është shqipëruar në fillim të viteve '60 dhe ndër vite ajo është pëlqyer veçanërisht nga publiku shqiptar.

Ambasadori i Greqisë në Tiranë, Nikolaos Pazios, theksoi faktin se Ministria e Kulturës në Greqi e ka shpallur vitin 2009 si "Viti Janis Ricos".

Ai lajmëroi se në vjeshtë do të ketë aktivitete të shumta në fushën e teatrit, muzikës dhe pikturës. Këto aktivitete do të zhvillohen jo vetëm në Greqi, por edhe në disa vende të tjera të Evropës, përfshi këtu edhe vendin tonë.

Janis Ricos në Shqipëri njihet përmes penës së njohur të personaliteteve si Besnik Mustafaj, Aurel Plasari, Spiro Çomora, Llambro Ruci, Aristotel Spiro, Sokol Cunga, etj.

Një personalitet si Janis Ricos nuk mund të përmmblidhet vetëm në një ditë, andaj organizatorët kanë menduar të sjellin dimensionin e tij artistik në tri ditë.

Dje, në ambientet e SHQUP-it poeti i madh u kujtua me temën :"Ricos-i përmes poezisë", sipas një referati të dr. Aristotel Spiro, profesor i gjuhësisë në Universitetin e Tiranës, me temën "Ricos-i lirik"; "Ricos-i erotik", referat i filologut dhe (Fituesi i çmimeve të para në poezi dhe në prozë në Qipro) letrarit dr. Mario Mihailidhi; Janis Ricos: "Poezia dhe atdheu", referat nga përkthyesi i Ricos-it në shqip Llambro Ruci.

Në pjesën artistike u lexuan poezi në ambientet e SHQUP-it nga Margarita Xhepa dhe Ema Andrea nga vepra "Shtëpia e të vdekurve".

Veprimtaritë për Janis Ricos do të vazhdojnë edhe sot në AAB në Tiranë ku do të flitet për temën "Ricosi përmes figurës". Në një bashkëpunim me studentët dhe pedagogët e kësaj Akademie do të mbahen referati nga profesori Naxhi Bakalli, me temën: " Konceptualiteti në improvizacionin e Ricos-it dhe Priftulit", Varianti optiko-akustik i veprës figurative të Ricosit nga filologët Jorgos Jakumis, Andi Rembeci dhe Sokol Cunga, që do të referojnë për temën: "Koment mbi zallët që flasin".

Duke marrë shkas nga poezia e fundit e Jani Ricos-it "Epilog", Kristos Apostolopulos, përgjegjës i zyrës së shtypit të ambasadës së Greqisë në Tiranë i referohet prezencës dhe aktualitetit të vazhdueshëm të Ricos-it, me temën: "Epilogu i një prologu". Historiku i një lindjeje artistike "Gurët që flasin" e Ricos-it, që u bënë burim frymëzues për 20 studentë të Fakultetit të Pikturës në Akademinë e Arteve të Bukura, në temën :"Dielli mbi fjalën", nga Vladimir Myrtezai, profesor në Akademinë e Arteve të Bukura, flet për ndikimin që ka ushtruar Ricos-i dhe fjala e Ricos-it duke u përcjellë përmes figurës tek studentët e tij...

Në orën 18.00 Rektori Petrit Malaj do të përurojë në Galerinë e Arteve FAP, një ekspozitë me krijimtari të studentëve, titulluar: "Dritë" në hijen e diellit, me frytet e pjesëmarrjes së tyre në këtë frymëzim të ndritshëm të pararendësit Janis Ricos...

Janis Ricos ka lindur në Monemvasia në vitin 1909 dhe vdiq në Athinë në 11 nëntor të vitit 1990. Vepra e tij përmban 120 botime, shumica të përkthyera në 18 gjuhë të ndryshme.

Në vitin ‘ 77 vlerësohet me çmimin ‘Lenin' e më pas është nominuar dy herë për çmim Nobel.

KOMENTE