English

Beqja: Qeveria u ka 70 milionë euro borxhe sipërmarrjeve, ekonomia në krizë

Tiranë, 4 dhjetor NOA - "Nën ethet elektorale të 28 qershorit 2009, Sali Berisha me një marrëzi të pashembullt për një njeri që ka marrë përsipër të bëjë detyrën e kryeministrit dhe në shërbim të skenarit të tij të mbrapshtë për të manipuluar rezultatin e zgjedhjeve, preu gjatë pranverës me dhjetëra shirita elektoralë për të hapur kantiere punësh publike.

5 muaj pas zgjedhjeve të gjithë ndjekim me shqetësim zvarritjen e punimeve në kantieret e vendit" kështu ka deklaruar sot deputeti i PS-së, Ilir Beqja i cili ka shprehur shqetësime për borxhin që qeveria e Sali Berishës u ka ndërmarrjeve që punojnë në këto kantiere.

Sipas tij, Berisha ka kryer krime në kurriz të sipërmarrjeve shqiptare të cilave qeveria e Sali Berishës u ka 70 milionë EURO situacione të papaguara.

"Berisha ka kryer krime në kurriz të punëtorëve të këtyre ndërmarrjeve, të cilët në kushtet e vështira financiare të punëdhënësve të tyre nuk po marrin pagat, nuk kanë sigurime shëndetësore, nuk kanë me se të blejnë ushqimet e muajit, nuk kanë me se të paguajnë faturën e energjisë elektrike, nuk kanë me se të paguajnë vizitën në spital të cilën Sali Berisha që prej dy muajsh e ka 5 fishuar" tha më tej Beqja sipas së cilit vetëm një qeveri e pakicës mund të jetë kundër sipërmarrësve dhe punëtorëve.

k.k/NOA

KOMENTE