English

Ksera: Angazhim për integrimin e personave me paaftësi në jetën shoqërore

Tiranë, 4 Dhjetor NOA - Në Ditën Ndërkombëtare të Paaftësisë, Qeveria shqiptare miratoi vendimin për nënshkrimin e Konventës "Për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara" me Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, e cila i hap rrugë Ratifikimit të saj, si dhe hartimit e zbatimit të një plani veprimi ndërinstitucional, që do të shërbejë për të përmbushur detyrimet e Konventës.

Këtë fakt e bëri të ditur dje, Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të PAK.

Kjo Konventë përfaqëson dokumentin e parë në të cilin aftësia e kufizuar njihet si çështje e të drejtave të njeriut dhe synon që përfitimi i të drejtave ekzistuese të zgjerohet dhe të garantohet, duke detyruar vendet anëtare të krijojnë një shoqëri ku personat me aftësi të kufizuar të integrohen lehtësisht.

Me ratifikimin e Konventës, Shqipëria përmbush një nga rekomandimet e Raport Progresit të Bashkimit Evropian dhe plotëson një nga detyrimet për liberalizmin e vizave dhe integrimin europian të vendit.Â

Qeveria, që nga viti 2005, ka rritur mbështetjen financiare 50% për të gjitha kategoritë e personave me aftësi të kufizuar dhe ka hartuar Strategjinë Kombëtare të Aftësisë së Kufizuar dhe një Plan të detajuar Veprimi.

Duke folur mbi këtë argument, Ksera tha se aktualisht po funksionon Këshilli Kombëtar për Çështje të Aftësisë së Kufizuar pranë Këshillit të Ministrave, në të cilin marrin pjesë në cilësinë e anëtarit shoqatat që përfaqësojnë personat me aftësi të kufizuar, duke sjellë e konsultuar në nivelin më të lartë të gjithë problematikën që shqetëson këtë kategori.

Ndërkohë, për vitin 2009 me fondet buxhetore u trajtuan 128.876 persona të paaftë dhe kujdestarët e tyre dhe për vitin 2010, parashikohet të trajtohen 131,679 persona, me një fond prej 11.442 miliard lekë, ose 24% më shumë se viti 2009.

Pasi përmendi këto shifra, Ksera tha se qeveria është e vendosur që, përveç Ratifikimit të Konvetës, për 2010 të hartojë një ligj integral me synim krijimin e një sistemi të ri, që rrit mbështetjen për personat me aftësi të kufizuar në bazë të rëndesës së sëmundjes, duke garantuar parandalimin, rehabilitimin dhe integrimin e tyre në jetën shoqërore.

"Shfrytëzojmë rastin që në këtë Ditë të veçantë të tërheqim vëmendjen dhe të kërkojmë:

sensibilitet më të madh nga njësitë e qeverisjes vendore në zbatimin me korrektësi të Ligjit të Urbanistikës nga KRRT-të përkatëse në dhënien e lejeve të ndërtimit, ku parashikimi i plotësimit të normave e kushteve specifike për lehtësimin e përdorimit nga peronat me aftësi të kufizuar të jetë i panegociueshëm", - apeloi Ksera.

Po ashtu, ish-Prefekti i Gjirokastrës, kërkoi zbatimin e legjislacionit të Punës nga biznesi për punësimin e të paktën një personi me aftësi të kufizuar në çdo 25 punëmarrës.

Ndërsa vlerësoi si të domosdoshme, pjesëmarrjen e të gjithë shoqërisë për të kontribuar në eliminimin e diskriminimit të personave me aftësi të kufizuara.

Nga ana tjetër, ai kërkoi edhe bashkëpunim më të ngushtë të strukturave përgjegjëse, donatorëve e shoqërisë civile, me qëllim zhdukjen e barrierave dhe paragjykimeve që pengojnë integrimin e 3% të popullsisë në jetën social-ekonomike të vendit, si dhe përfshirje më aktive të mediave të shkruara dhe vizive në fushatën për mbështetjen dhe integrimin e personave me aftësi të kufizuara në shoqëri.

e.r/NOA

KOMENTE