English

Mungesë zgjidhjesh

"Në të gjithë rastet duket se po bëhet luftë për kohën: kush do ta gjunjëzojë më shpejt kundërshtarin e vet. Ama nuk shihet sesi mund të ndodhë kjo me rrugë institucionale, pra mbeten vetëm rrugët e forta"

Nga Mentor Nazarko (Foto: LSA)

Vazhdimi me të njëjtin agresivitet i fushatës personale të kryeministrit Berisha kundër kreut të opozitës Rama, e çon vendin praktikisht në një situatë politike pa zgjidhje. Askush nuk ka fuqi t'i ulë palët në një tavolinë dhe mbase ky ka qenë edhe njëri nga qëllimet e egërsimit në këtë nivel të sulmeve të Berishës: të mbyllet çdo portë për dialog mes palëve. Vënia në rresht krahas tij edhe e zyrtarëve të tjerë të lartë të PD'së në sulmet ndaj Ramës duket sikur po përpiqet t'i japë kësaj beteje në synimet utopike të ideatorit, edhe karakterin e një beteje për pastrim moral të opozitës, diçka e paparë ndonjëherë në politikën shqiptare. Por, as në politikën europiane vështirë se mund të gjenden precedentë të ngjashëm, kur Kryeministri i vendit të akuzojë në vetë të parë me rrëfime të tilla, kundërshtarin e vet të opozitës. Nuk ndodhi dhe as që mendohet se do të ndodhë kjo as në politikën italiane, me gjithë provat e shumta që qarkullojnë në media nga historitë rozë të Berluskonit. Nga ana tjetër, edhe opozita e ka ekstremizuar qëndrimin e saj. Ndonëse ka plotësisht të drejtë të reagojë në planin moral pas akuzave të tilla tronditëse, në lidhje me kutitë opozita ka treguar luhatje të mëdha. Ajo ka shkuar deri në ultimatume të errëta, por që kanë një fund të qartë - rrëzimin e Berishës me forcën e protestës. Për të arritur këtu, opozita ka kaluar nëpër zigzage të shumta: në fillim foli kundër bojkotit, pastaj pro bojkotit, pastaj mblodhi firmat për një ligj për rinumërimin, harroi firmat dhe ia filloi protestave. Ditët e fundit harroi rinumërimin dhe thjesht kërkoi hetimin e zgjedhjeve, por ama premtoi se do t'i vazhdojë protestat. Një pyetje del e ligjshme në këtë kontekst: cilët janë skenarët më të mundshëm prej këtij acarimi? Kryeministri Berisha, që është në pozitë të vështirë për shkak të gjendjes ekonomike të cilën duhet ta administrojë dhe bllokimit të pjesshëm të institucioneve kërkon që të prodhojë lajme krize. Sipas një praktike të konsoliduar prej kohës së komunizmit, ai do që njerëzit t'i harrojnë vështirësitë ekonomike me të cilat përballen, zhvleftësimin e lekut, rritjen e çmimeve, veçanërisht atij të energjisë elektrike që pritet, vështirësitë me pagesat e pensioneve, rrogave të policëve, bllokimin e kreditit në banka, dështimin me "Rrugën e Kombit", etj., dhe të merren me historitë që ai krijon në sherrin personal me Ramën. Ai reagon dhe sipas një kodi primitiv sherresh shqiptare, sipas të cilit fiton ai që shan i fundit nga familja më shumë se tjetri kundërshtarin. Duket i çuditshëm ky lloj reagimi prej një njeriu që vjen nga veriu, ndërsa debate të tilla as që mund të mendohen në Kosovë ku kjo lloj gjuhe e "Heroit të Rrugës" ka krijuar huti të madhe. Qëllimi i tij maksimal, jo thjesht prej këtyre akuzave, por edhe nëpërmjet mesazheve të tjera që po lëshon gjatë këtyre ditëve, apo daljes në dritare para protestuesve, përveç një trimërimi në distancë, duket se është gjithashtu provokimi i opozitës deri në pikën që ajo të reagojë me dhunë. Edhe kundërvënia e mitingut tjetër të 8 dhjetorit, një reagim i nxitur prej sedrës së mitingashit profesionist, duket se inkurajon dhunën, por që duhet të vijë prej opozitës. Kjo në përfytyrimin e Berishës do ta delegjitimonte plotësisht aksionin e saj, jo thjesht në sytë e ndërkombëtarëve, por edhe do ta justifikonte atë që mund të ndodhte më pas. Opozita nga ana e saj nuk duket aq e qartë në qëllimet e veta. Dihet fare mirë se Berisha nuk i hap kutitë, pavarësisht se brenda tyre mund të ketë edhe prekje të votave nga të dy krahët. Pra, Berisha nuk është mëkatar i vetëm në prekjen e votave, me gjithë hipotezat e besueshme se grabitja më e madhe e tyre prej PD'së është bërë në zonat rurale. Bëmat e krahut qeveritar me votat duhet të jenë më të mëdha, kështu që hipoteza e hapjes është e pamundur, edhe pse opozita kërkon t'i shtjerë në mend Berishës t'i trazojë votat në bodrumet e KQZ'së. Ajo ndoshta pret që Berisha të ulet në negociata dhe t'i pranojë zgjedhjet e parakohshme -dikush flet për Qeveri të të gjithëve që do të përgatisë zgjedhjet qendrore dhe lokale brenda 8 muajsh - por kjo duket hipotezë e pagjasshme. Berisha nuk u ul në negociata as në situata që dukeshin më të vështira se kjo, siç ishin ngjarjet e vitit 1996 - 1997. Është e pabesueshme për pasojë dhe hipoteza më ekstreme. As mund të mendohet që ai të ikë dhe të lerë gjithçka nëse protestat degjenerojnë në dhunë: nëse në 1997 ai do ta linte thjesht pushtetin politik, sot ai lë shumë më shumë, dhe rrezikon shumë më shumë. Opozita duhet ta dijë këtë, nëse i konsideron të vërteta akuzat për pasurimin e Berishës. Shpresa në hipoteza të tilla nuk gjen asnjë mbështetje tek sjellja e ndërkombëtarëve që duken se po rrinë dhe po vështrojnë hëpërhë, por as kjo s'dihet sa mund të zgjasë. Megjithëse ata nuk po inkurajojnë opozitën, Berisha e di fare mirë se ndryshimi i balancës së forcave në terren mund ta ndryshojë situatën. Kështu i ka ndodhur dhe atij: fitimi i mbështetjes popullore solli si pasojë pranimin e tij në krye të vendit prej ndërkombëtarëve në vitin 2005. Hipotezat institucionale, d.m.th., të shpërndarjes së parlamentit për shkak të pamundësisë së tij për të miratuar ligje të rëndësishme që duan shumicë të cilësuar duket dhe ajo e vështirë. Kushtetuta nuk mund ta parashikonte një situatë si kjo, kështu që nenet e saj nuk ofrojnë qartësi. Kjo do të thotë që edhe nëse dikush do t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, ky institucion do ta ketë të vështirë të miratojë një vendim që i hapë rrugë shpërndarjes së parlamentit. I njëjti arsyetim vlen dhe për interpretimin e nenit 72 për mbarimin apo pavlefshmërinë e mandatit. Praktikisht jemi në kushtet e paragrafit "a" apo "d", pra, nëse deputetët e opozitës mungojnë 6 muaj atëherë mandati i tyre konsiderohet i pavlefshëm, apo se "ka përfunduar". Por ç'do të ndodhte në një rast të tillë? Kushtetuta nuk e ka përcaktuar zgjidhjen për këtë situatë dhe as Gjykata Kushtetuese nuk do të guxonte të merrte një vendim që do t'i hiqte mandatin të zgjedhurve socialistë, pjesë e bojkotit, dhe do t'ia jepte atyre që vinin më pas në listë. Edhe shumica vështirë se do të bëjë atë për të cilën trimërohet: të konsiderojë si të përfunduar apo të pavlefshëm mandatin e deputetëve bojkotues. Në të gjitha rastet duket se po bëhet luftë për kohën: kush do ta gjunjëzojë më shpejtë kundërshtarin e vet. Ama nuk shihet sesi mund të ndodhë kjo me rrugë institucionale, pra mbeten vetëm rrugët e forta. Këta skenarë duken të frikshëm, por mjerisht situata politike dhe jo vetëm ajo është vërtet e vështirë. Kriza e votave nuk është thjesht kriza e votave. Ajo ndodh kur në planin ekonomik vendi po përplaset me vështirësi të mëdha që bien kryesisht mbi qytetarin. Dalja e një numri aq të madh qytetarësh në protestën e opozitës lidhet pikërisht me këto vështirësi. Egërsimi i palëve siç po vëmë re ditët e fundit mund t'i verë flakën një gjendjeje shpërthyese, duke çuar në një përplasje shoqërore të paprecedent. Mjerisht, vendit i mungojnë forcat apo autoritetet ndërmjetësuese mbi palët. Presidenti cili ka treguar në shumë raste se është brenda rolit të tij kushtetues, nuk pranohet në një rol të tillë prej vetë Berishës dhe institucionet në përgjithësi duken të bllokuara, para se të bien tërësisht në dorë të Qeverisë, siç është dukur me përplasjen për gjyqësorin. Nuk po kuptohet ç'duan ndërkombëtarët dhe gjithsesi shihet me ndonjë përjashtim, njëlloj kundërvënieje Europë-SHBA në lidhje me Shqipërinë. Europa kërkon stabilitet dhe fton opozitën në Parlament, por ama akuzon Qeverinë për shtim të korrupsionit dhe dështim në luftën kundër krimit të organizuar. Situata në shumë elementë po i ngjan gjithnjë e më shumë asaj të 1996. Asokohe, me gjithë zemërimin popullor kishte rrugë institucionale për zgjidhjen e krizës, por Berisha me kokëfortësi zgjodhi rrugën e përplasjes. Sot askush nuk e di se çfarë do të bëjë, çka nuk mund dhe nuk duhet të jetë motiv qetësie për askënd.

KOMENTE