English

Në OKB, raport pozitiv për Serbinë mbi krimet e luftës. Tadiç: Jemi angazhuar

Bruksel, 4 dhjetor, NOA - Kreu i Gjykatës së Krimeve të Luftës në Hagë, Serge Brammertz i ka prezantuar Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, raportin më të fundit mbi bashkëpunimin e Serbisë me OKB për të dorëzuar kriminelët e luftës.

"Aspekti më i rëndësishëm i bashkëpunimit të Serbisë është nevoja për të kapur personat që janë në arrati. Zyra ime njeh profesionalizmin dhe angazhimin e shërbimeve operative me detyrë gjetjen e personave të kërkuar. Unë jam në kontakt të rregullt dhe të drejtpërdrejtë me autoritetet që merren me këto operacione. Këto shërbime tani po punojnë më me efiçencë dhe në mënyrë më të koordinuar. Për më tepër po kryhet për momentin një shumëllojshmëri e aktivitetete operuese, duke përfshirë edhe ato të gjurmimeve. Serbia duhet t'i vazhdojë këto përpjekje me objektiv të qartë kapjen e personave të kërkuar", mësohet të jetë shprehur konkretisht Brammertz.

Por Suedia, si kryesuese e radhës e BE, ka kërkuar më shumë bashkëpunim nga Beogradi, ku ambasadori i Suedisë në KB, Anders Liden tha se disa kriminelë të luftës ende ndodhen në arrati.

Nga ana e saj, Serbia e mirëpriti raportin e ri për bashkëpunimin e saj me Gjykatën e Hagës dhe u zotua se do të bëjë gjithçka të mundur për t'i kapur dy krye të dyshuarit që ende janë në arrati. Vetë presidenti Boris Tadiç e quajti "shumë pozitiv" raportin e kryeprokurorit Serzh Bramerc, i cili iu prezantua Këshillit të Sigurimit.

n.e/NOA

KOMENTE