Tiranë, 4 Dhjetor NOA - Policia e Tiranës, doli me një komunikatë mbrëmjen e sotme, mbi incidentin e dyshuar të tentimit për hedhje plehrash pranë Kryeministrisë, duke mos e konfirmuar zyrtarisht këtë dyshim.
Policia tha se pas një informacioni të marrë nëpërmjet telefonit, shërbimet e patrullës së përgjithshme të Komisariatit në Kombinat, kanë ndaluar dy automjete të markës "Benz" tip kamion me targa TR 1874 I dhe TR 1882 I.Nga verifikimet e bëra në vend u konstatua se këto dy automjete ishin të Ndërmarrjes së Pastrim-Gjelbërimit Nr.1 Tiranë dhe kishin ngarkuar disa thasë plastikë me plehra dhe pretendonin se po i dërgonin në ambientet e ndërmarrjes së tyre.
Duke folur mbi marrjen në pyetje, policia u tregua e rezervuar të tregojë destinacionin e plehrave të transportuara.
Megjithatë, ajo citoi se drejtuesit e mjeteve kanë deklaruar se thasët me plehra i kanë marrë në Sharrë, pasi ishin ngarkuar nga punëtorët e Ndërmarrjes.
Në Komisariatin e Policisë nr.6, Tiranë është paraqitur edhe Drejtori i Ndërmarrjes, Irfan Dashi, i cili ka deklaruar se punëtorët e ndërmarrjes së tij jashtë orarit zyrtar i kanë përgatitur thasët me plehra, të cilat do t'i transportonin në Ndërmarrjen e Pastrim-Gjelbërimit Nr.1 Tirane. Po kështu ai ka deklaruar se për këtë veprim është urdhëruar nga eprorët e tij.
Në lidhje me incidentin, polica konfirmoi se janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Nr.6 Kombinat edhe 20 punonjës të kësaj ndërmarrjeje që kanë përgatitur dhe ngarkuar në automjete thasët me plehra.
"Këta shtetas pasi janë pyetur procedurialisht, janë lënë të lirë", - sqaroi policia e cila siguroi se materialet procedurale për të gjitha veprimet e kryera do ti referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tirane.
Sakaq, policia tha se nga verifikimi i dokumentacionit të mjeteve rezultoi se të dyja kishin mangësi në dokumentacion.
Në këto kushte mjetet, bashkë me drejtuesit e tyre u shoqëruan në Komisariatin e Policisë Nr.6 Tiranë.
Nga ana tjetër, pas pyetjes dhe kryerjes së procedurave administrative dy mjetet janë bllokuar administrativisht në Pikën e bllokimit të Policisë, ndërsa drejtuesit e tyre janë lënë të lirë.
e.l/NOA