Tiranë, 4 dhjetor NOA - Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, ka vijuar aksionin kundër shoferëve debitorë dhe shkelësve të qarkullimit rrugor. Gjatë ditës së djeshme, janë ndërmarrë kontrolle dhe masa ndëshkuese ku janë pezulluar për mos shlyerje të detyrime 72 leje qarkullimi të automjeteve.
Nga shlyerja e detyrimeve që rrjedhin nga kundravajtjet administrative, u arkëtuan nga posta Shqiptare 416 masa administrative të likuiduara nga drejtuesit e mjeteve. "Shërbimet e Policisë së Tiranës do të vazhdojnë me intensitet punën për parandalimin e aksidenteve në rrugë dhe në krijimin e lehtësirave për lëvizjen e lirë të mjeteve, në përputhje me legjislacionin rrugor, me qëllim parandalimin dhe uljen e aksidenteve rrugore. Në këtë kuadër, kontrolle të shumta po ushtrohen në drejtim të vendosjes së rripave të sigurimit, kaskës mbrojtëse, kontrollit të shpejtësisë, përdorimit të alkoolit nga drejtuesit e mjeteve, parkimet e gabuara etj. Po ashtu, kontrolle të vazhdueshme do të ushtrohen kryesisht për parkimet e gabuara, apo parkimet dyshe në akset e qytetit të Tiranës" thuhej në deklaratën e policisë së kryeqytetit. k.k/NOA