Tiranë, 4 Dhjetor NOA - Ministria e Mbrojtjes, me rastin e 4 Dhjetorit, 97-vjetorit të krijimit të Forcave të Armatosura, dekoroi sot me medaljen "Për shërbime të shquara", Abaz Kupin, i trajtuar gjerësisht nga regjimi komunist si tradhtar i atdheut.
Dekorata për Kupin dhe 11 persona të tjerë të akorduara nga Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, u dhanë sot në një ceremoni të posaçme. Mes të dekoruarve bie në sy dhe emri i Safet Zhulalit, ish-ministër i Mbrojtjes në kohën e trazirave të vitit 1997 kur depot ushtarake u hapën dhe njerëzit u armatosën.Personalitetet që u dekoruan janë:
1.Gjeneral Mehmet Pashë Dërralla, (pas vdekjes), i jepet medalja "Për Shërbime të Shquara" me motivacion: "Për merita të shquara si personalitet ushtarak, themelues i Ushtrisë Kombëtare Shqiptare dhe si Ministër i parë i Luftës i Shtetit Shqiptar".
2.Gjeneral Ali Riza Kolonja (pas vdekjes), i jepet medalja "Për Shërbime të Shquara" me motivacion: "Për merita të shquara në ringritjen e Ushtrisë Kombëtare Shqiptare dhe për mbrojtjen e kufijve shtetërorë".
3.Gjeneral Ismail Haki Tatzati (pas vdekjes), i jepet medalja "Për Shërbime të Shquara" me motivacion: "Për merita të shquara në ngritjen, reformimin dhe përsosjen e organizimit të armëve e shërbimeve të Ushtrisë Kombëtare Shqiptare"
4.Gjeneral Xhemal Aranitasi (pas vdekjes), i jepet medalja "Për Shërbime të Shquara" me motivacion: "Për merita të shquara në ngritjen, modernizimin dhe konsolidimin e Ushtrisë Kombëtare Shqiptare"
5.Kapter Mujo Ulqinaku (pas vdekjes), i jepet medalja "Për Shërbime të Shquara" me motivacion: "Për trimëri dhe vetëmohim gjatë qëndresës për mbrojtjen e vendit nga pushtuesit fashistë"
6.Major Abaz Kupi, (pas vdekjes), i jepet medalja "Për Shërbime të Shquara" me motivacion: "Për merita të shquara në ngritjen e formacioneve luftarake nacionaliste dhe organizimin e qëndresës kundër pushtuesve fashistë"
7.Kolonel Muharrem Bajraktari (pas vdekjes) i jepet medalja "Për Shërbime të Shquara" me motivacion: "Për merita të shquara në ngritjen e Xhandarmërisë Ushtarake Shqiptare dhe të formacioneve luftarake nacionaliste për qëndresë kundër pushtuesve fashistë"
8.Gjeneral Major Dali Ndreu (pas vdekjes) i jepet medalja "Për Shërbime të Shquara" me motivacion: "Për kontribut të shquar në drejtimin e formacioneve të mëdha për çlirimin e vendit nga pushtuesit nazi-fashistë dhe reformimin e Ushtrisë Shqiptare ".
9.Zoti Safet Zhulali, (pas vdekjes) i jepet medalja "Për Shërbime të Shquara" me motivacion: "Për kontribut të shquar, si Ministër i parë i Mbrojtjes në periudhën e ndryshimeve demokratike të vendit, në reformimin, ristrukturimin dhe modernizimin e Forcave të Armatosura".
10.Nënkolonel Hamit Bali (pas vdekjes) i jepet medalja "Për Shërbime të Shquara" me motivacion: "Për kontributin e dhënë në ngritjen e Arkivit Ushtarak Shqiptar dhe drejtim me kompetencë të lartë profesionale".
11.Kapiten Kamber Sejdini (pas vdekjes) i jepet medalja "Për Shërbime të Shquara" me motivacion: "Për kontribut të shquar në ngritjen e Ushtrisë Kombëtare Shqiptare, për vetëmohim në mbrojtje të idealeve demokratike dhe për kontribut të veçantë në fushën e terminologjisë ushtarake shqiptare".
12.Kapiten Islam Radovicka (pas vdekjes) i jepet medalja "Për Shërbime të Shquara" me motivacion: "Për kontribut të shquar në çlirimin e atdheut nga pushtuesit nazistë dhe për mbrojtjen e idealeve demokratike".
e.r/NOA