English

Reformat në Evropën Juglindore, çelësi për stabilitetin financiar

Ministrat e Financave takohen për të trajtuar sfidat e krizave financiare në Evropën Juglindore përmes përmirësimit të raportimit financiar. Plani i veprimit për reforma do të ndihmojë në përpjekjet e këtyre vendeve për hyrje në BE dhe do të rrisë stabilitetin e tyre financiar

Vjenë, 4 dhjetor NOA - Ministrat e Financave nga tetë vende të Evropës Jugore, Lindore dhe Qendrore janë takuar në Vjenë në mbështetje të një plani unik rajonal veprimi, i cili do të rrisë stabilitetin në ekonomitë e vendeve të tyre si dhe do të ndihmojë në mbështetjen e hyrjes apo përafrimit të tyre me Bashkimin Evropian.

Në këtë konferencë të organizuar nga Qendra e Bankës Botërore për Reformën e Raportimit Financiar morën pjesë Ministrat e Financave si dhe përfaqësuesit të tjerë nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Kosova, Maqedonia, Moldavia, Mali i Zi dhe Serbia.

Duke pasur parasysh krizat aktuale financiare, plani i veprimit ka për qëllim të ndihmojë menjëherë secilën ekonomi që në mënyrë rrënjësore të përmirësojë rregullimin e raportimit financiar si dhe në modernizimin e sistemeve arsimore profesionale dhe akademike në fushën e kontabilitetit dhe auditimit.

"Reformat e raportimit financiar janë shumë të rëndësishme për zhvillimin ekonomik," tha Philippe Le Houérou, Zëvendës President i Bankës Botërore për Rajonin e Evropës dhe Azisë Qëndrore. "Plani i veprimit për të cilin kanë rënë dakord Ministrat do të ndihmojë secilën ekonomi për të tejkaluar sfidat e menjëhershme të krizave aktuale financiare, duke përmirësuar mjedisin për investime të brendshme dhe të jashtme, gjë shumë e rëndësishme kjo për krijimin e vendeve të punës dhe rritjen ekonomike. Nga anën tjetër ky plan do të ndihmojë secilën ekonomi për të përshpejtuar harmonizimin e raportimit financiar dhe auditimit me kërkesat e BE-së."

Në deklaratat e tyre në konferencë, Ministrat kanë rikonfirmuar mbështetjen e tyre për planin "Rruga drejt Evropës - Program për reformën e kontabilitetit dhe fuqizimin institucional" (REPARIS), i cili është hartuar në bashkëpunim ndërmjet tyre dhe përfshin periudhën 2009-2013.

Programi REPARIS është përfshin venien në punë, zbatimin dhe aplikimin efektiv të pjesëve përkatëse të acquis communautaire të BE-së. Acquis communautaire përfshin jo vetëm Direktivat dhe Rregulloret e Ligjit për Ndërmarrjet të referuar më lart, por edhe zbatimin e praktikave më të mira të BE-së, të cilat në vetvete përfshijnë standardet ndërkombëtare.

Përfaqësuesit nga Komisioni Evropian dhe Këshilli Rajonal për Bashkëpunim kanë mirëpritur këtë iniciativë si në aspektin kohor ashtu edhe për nga rëndësia e saj.

REPARIS ka për qëllim të kontribuojë në investimet e huaja si të drejtpërdrejta ashtu edhe investimet e portfolios, të kujdeset për zhvillimin e sektorit privat dhe atij financiar, të përmirësojë mjedisin e biznesit dhe klimën për investime si dhe të lehtësojë integrimin në Bashkimin Evropian.

Për të arritur këtë, brenda secilës ekonomi janë krijuar bashkësitë rajonale të praktikës, të përbëra nga palët kyçe të interesuara, për të adresuar sfidat e menjëhershme në zbatimin e raportimit financiar, auditimit dhe edukimit profesional në fushën e kontabilitetit.

"Edhe pse të gjitha ekonomitë nuk ndodhen në fazë të njëjtë sa i përket rrugës së tyre drejt Evropës dhe tranzicionit në ekonominë e bazuar në treg, destinacioni i dëshiruar është i njëjtë dhe sfidat janë të ngjashme," tha John Hegarty, Udhëheqës i Qendrës së Bankës Botërore për Reformën e Raportimit Financiar.

"Disa ekonomi tashmë kanë pasur sukses në zgjidhjen e disa sfidave të tranzicionit dhe përmes Bashkësive të Praktikës kanë shkëmbyer me sukses përvojat e tyre me ekonomitë fqinje."

Aktivitetet kyçe të këtij programi përfshijnë kontributin strategjik në

(a) hartimin dhe futjen në funksion të instrumenteve ligjore dhe rregullatore për të qenë në pajtim me acquis communautaire të BE-së;

(b) strukturën institucionale dhe procedurat operacionale; dhe (c) planifikimin e programeve arsimore dhe trajnuese, të cilat janë në vazhdim e sipër, si akademike ashtu edhe ato profesionale.

Përveç kësaj, Programi përfshin edhe organizimet për aktivitete binjakëzimi me institucionet kryesore të jashtme, si dhe krijimin e mbështetjes fillestare të një rrjeti rregullatorësh, përcaktuesish të standardeve dhe zyrtarëve nga shtetet pjesëmarrëse.

Në konferencë folën edhe Ministri i Punëve të Jashtme të Austrisë, z. Michael Spindelegger, dhe Sekretari Shtetëror në Ministrinë e Financave të Austrisë, z. Reinhold Lopatka, i cili theksoi mbështetjen e Qeverisë së Austrisë për këtë iniciativë dhe partneritet.

Financimi i programit REPARIS është bërë nga Agjencia Austriake për Zhvillim. "Ne kuptojmë rëndësinë e kësaj iniciative, sepse raportimi i shëndoshë financiar dhe auditimi janë elemente të domosdoshme për krijimin e një klime të përshtatshme për investime të huaja dhe rritje të qëndrueshme ekonomike," tha Ambasadorja Brigitte Oeppinger-Walchshofer, Drejtoreshë Menaxheuse e Agjencisë Austriake për Zhvillim.

e.r/NOA

KOMENTE