Bruksel, 4 Dhjetor NOA - Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, mori pjesë në Takimin e Ministrave të Jashtëm të NATO-s ku u rrëzua pa afat, aspirata e Bosnjë-Hercegovinës për anëtarësim ndërsa u pranua Mali i Zi.
***
Në kuadër të takimit të Ministrave të Jashtëm të NATO-s që u zhvillua në Bruksel, Meta mori pjesë në takimin e Komisionit NATO-Ukrainë, në takimin e Komisionit NATO-Gjeorgji, si dhe në mbledhjen informale të Këshillit kushtuar Bosnje-Hercegovinës dhe Malit të Zi.
Ministrat e Jashtëm të NATO-s, vendosën të ftojnë Malin e Zi t'i bashkohet Planit të Veprimit për Anëtarësim (MAP).
Kurse inkurajuan Bosnje-Hercegovinën të thellojë reformat me shpresën e anëtarësimit në MAP sapo të jenë përmbushur kriteret e duhura.
Gjithashtu, Ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve kontribuuese të trupave ISAF diskutuan mbi çështje kyçe dhe mbi prioritetet e strategjisë për Afganistanin, në veçanti për mbrojtjen e qytetarëve afganë, ndërtimin e kapaciteteve të sigurisë afgane dhe për lehtësimin e qeverisjes dhe zhvillimit në vend.
Ministrat e Jashtëm adoptuan një deklaratë të përbashkët ku shprehet vullneti për të punuar së bashku për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me misionin si dhe mbështetja e plotë për parimet e ISAF për proçeset e ri-integrimit dhe të pajtimit në Afganistan.
Z. Meta duke folur për mediat pas Takimit të Ministrave të Jashtëm të NATO-s tha se
Shqipëria ka mbështetur politikën e dyerve të hapura për zgjerimin e mëtejshëm të NATO-s.
Ai pranoi se kishte mbështetur hyrjen e Malit të Zi në Plan Veprimin për Anëtarësim (MAP), vendimi pozitiv për të cilin u mor sot me sukses të plotë.
Kurse vuri në dukje se "kemi shprehur mbështetjen tonë edhe për Bosnje-Hercegovinën, ku nuk pati konsensus të plotë gjatë këtij takimi".
Por Meta theksoi Bosnje-Hercegovina u inkurajua që të vazhdojë me reformat e saj të brendshme, me shpresën që në prill, në Takimin e ardhshëm te ministrave të Jashtëm të NATO-s të merret një vendim pozitiv.
e.r/NOA