English

Shkarkimi dhe emërimi i kryeinspektorit, Bashkia e Tiranës: Prefekti të mos influencojë në gjykatë

Tiranë, 4 dhjetor NOA - Bashkia e Tiranës ka reaguar sot për shkarkimin dhe emërimin e kryeinspektorit të Policisë Bashkiake në Bashkinë e Tiranës.

"Në lidhje me shkarkimin dhe emërimin e Kryeinspektorit të Policisë Bashkiake të Bashkisë Tiranë, bëjmë me dije se, Prefekti gabon, pasi sipas nenit 3 të ligjit nr.8224, datë 15.05.1998 për "Organizimin dhe funksionimin e policisë së bashkisë dhe komunës, nuk ka në kompetencë emërimin dhe shkarkimin e Kryeinspektorit të Policisë Bashkiake, por ka të drejtë të bëjë emërimin dhe shkarkimin e Kryeinspektorit të Rrethit" bëri të ditur sot zëdhënësja e Bashkisë së Tiranës.

Sipas saj çështja i ka kaluar për zgjidhje juridiksionit gjyqësor dhe sot në datë 4 dhjetor 2009, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë është zhvilluar seanca e parë gjyqësore në lidhje me këtë konflikt, ku Bashkia e Tiranës ka pretenduar moslegjitimimin e Prefektit për ngritjen e kësaj padie.

"Ju informojmë se Bashkia e Tiranës, për të mos cenuar paanësinë e gjykatës nëpërmjet presionit mediatik, çdo kërkim dhe prapësim mbi këtë çështje, do e paraqesë vetëm në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Sugjerojmë që edhe Prefekti i Qarkut Tiranë të bëjë të njëjtin veprim dhe të mos influencojë vendimmarrjen e gjykatës" përfundoi zëdhënësja e Bashkisë së Tiranës.

k.k/NOA

Â

Â

KOMENTE