Tiranë, 4 dhjetor NOA - Ne shqiptarët institucionin e familjes e kemi të shenjtë.
Familja është ADN-ja e kombit tonë. Ndaj dhe dhuna në familje është ajo që nuk falet. Dhuna ndaj gruas, ndaj nënës, ndaj së dashurës është e rëndë, e shëmtuar, shumë e shëmtuar.
Parlamenti duhet të marrë lidershipin në këtë betejë. Të gjithë bashkë duhet t'i përgjigjemi fort dhunës ndaj grave"
Këtë mesazh dha sot Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli në Konferencën Kombëtare "Ne mund të ndalojmë dhunën në familje" organizuar nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.
 "Kjo konferencë nuk është si çdo konferencë. Është ndryshe, dhe kjo jo vetëm për fjalën dhunë. Se dhunë në shekuj, në historinë njerëzore ka pasur tepër, shumë tepër. Është ndryshe, sepse do flasim për dhunën jo në luftë, dhunë jo me armikun, dhunë jo thjesht me atë që nuk do. Të gjitha këto të papranueshme.
Por, do flasim për dhunën në familje. Në familje, në atë që është atdheu i zemrës. Ne që jemi prind, dimë se nuk është as mishi, as gjaku, por zemra që na bën nënë. Secili prej nesh kur i kthen sytë jetës së vet, gëzimet më të mëdha i gjen te familja, te njerëzit më të dashur" tha gjatë fjalimit të saj kryeparlamentarja.
Sipas Topallit, kush çon dorën ndaj nënës, apo nënës së fëmijës, nuk është burrë, e nuk falet. Ai është modeli i njeriut frikacak, i njeriut të pasigurtë.
Vetëm ai që është në frikë e pasiguri, kompenson me dhunë atë që i mungon në forcë e vërtetësi.
"Parlamenti duhet të marrë lidershipin në këtë betejë. Të gjithë bashkë duhet t'i përgjigjemi fort dhunës ndaj grave. Duhet ta penalizojmë dhunën ndaj nënës, njëlloj e për cilindo. Parlamentet e botës së qytetëruar kanë bërë peticione. Kuvendi i Shqipërisë duhet të bëjë rezolutë kundër dhunës në familje. Kuvendi duhet të bëjë rezolutë kundër dhunës ndaj grave.
Kuvendi duhet të kontrollojë zbatimin e ligjit që vetë ka miratuar për cilindo.
Për këtë do të ketë edhe një nënkomision të veçantë.
Askush nuk mund të hezitojë për të përdorur të gjitha instrumentet ligjore për këto sjellje shokuese, për këtë krim që nuk është shpifje, por fakt, nuk është çështje private, por është publike" përfundoi Topalli.
k.k/NOA