English

Zëdhënësja e PD-së para gazetarëve: Ja dëshmia e ish-gruas së Ramës në gjykatë

Tiranë, 4 dhjetor NOA - Zëdhënësja e Partisë Demokratike, lexoi sot para gazetarëve dëshminë e ish-bashkëshortes së kreut të opozitës Edi Rama, që ajo ka dhënë para gjykatës gjatë seancës për divorc shumë vite më parë.

"Sot shtypi i ditës na njohu sërish me dëshmitë tronditëse të ish-bashkëshortes së Edvin Ramës, përmes të cilave ajo dëshmon në Gjykatë për dhunën çnjerëzore që Kryetari aktual i Partisë Socialiste ka ushtruar ndaj saj.

 "Kam histori që nuk i di kush. Ndaj meje është abuzuar dhe prej këtyre më janë shkaktuar dhimbje, dhe kam përfunduar në spitale….e kuptova atëherë se nuk kisha ç'të thosha me atë njëri dhe i dhashë divorcin"

Kjo dosje e zezë, që përmban sagmën që Edvin Rama i ka bërë familjes së tij, është dosja më e turpshme e një individi e një qytetari dhe modeli më i shëmtuar i një politikani përballë një publiku të civilizuar" tha sot Mëhilli.

Sipas saj, provat që Edvin Rama i ka mohuar kafshatën e gojës djalit të tij si dhe dëshmitë rrëqethëse të ish-gruas së tij për dhunën sistematike dhe ç'njerëzore të ushtruar mbi të nga Kryetari i Partisë Socialiste janë një apel i madh për çdo qytetar të këtij vendi.

"Një individ që përdor dhunën, mohimin dhe poshtërimin mbi familjen e vet, nuk e ka për gjë që të shkelë mbi çdo vlerë tjetër njerëzore.

Këto fakte të rënda  dëshmojnë qartësisht se qëndrimet e çekuilibruara dhe të neveritshme të z.Rama, të dënueshme në çdo vend të lirë të botës, përbëjnë një rrezik dhe kërcënim serioz jo vetëm për Partinë Socialiste por edhe për shoqërinë shqiptare në tërësi" përfundoi zëdhënësja e Partisë Demokratike, Erla Mëhilli.

k.k/NOA

KOMENTE