Kryeministri shpjegon se cilat janë avantazhet dhe disavantazhet e ministrave të rinj që ka në qeverinë e tij
Tiranë, 5 Dhjetor NOA - Në Konferencën e sotme të Forumeve Rinore të Partive Popullore Evropiane (YEPP) me temë "Zgjerimi i Bashkimit Evropian" e cila zhvillohet për herë të parë në Shqipëri, kreu i PD, Berisha, përmendi se rinia ka luajtur një rol të rëndësishëm gjatë rrëzimit të Murit të Berlinit në Shqipëri.
Në vijim të këtij konstatimi, Berisha u pyet se ç'rol luan rinia sot, pasi shumë të rinj janë të përfshirë në politikë dhe iu kërkua mendimi se cili është qëndrimi i të rinjve ndaj politikës dhe ata janë ata të lidhur po aq shumë me politikën?
Berisha e konsideroi pyetjen si shumë interesante dhe u përgjigj: "Unë iu siguroj se rinia shqiptare ishte jo vetëm një faktor përcaktues për rrëzimin e Perdes së Hekurt, por ajo ishte përcaktuese edhe për fitoren e Partisë Demokratike në 2005 dhe në 2009-ën. Periudha përpara 2005 ka qenë shumë e vështirë, por unë isha shumë i bindur në fitore kur shikoja rininë. Të rinjtë luajtën një rol të shkëlqyer në arritjen e asaj fitoreje. Po kështu edhe në vitin 2009. Ka një sondazh ndërkombëtar që tregoi se të rinjtë ishin kryesisht mbështetës të Berishës dhe megjithëse kundërshtarët e mi janë të paktën 25 vjet më të rinj se unë sot. Unë i them se sot ju keni nevojë t'i jepni pak rini moshës tuaj", - ishte këshilla e Berishës.
Këtu kryeministri theksoi se ai ka qeverinë më të re në Evropë duke shpjeguar se cilat janë avantazhet dhe disavantazhet e ministrave të rinj.
"Është e vërtetë se ata kanë nevojë për eksperiencë, është gjithashtu e vërtetë se ata kanë edhe një avantazh: ata janë njerëz mendje-hapur dhe kjo gjë është thelbësore për një vend si i imi. Ata nuk kanë asnjë vështirësi për të pranuar vizione dhe për të pasur vizione dhe për të ecur drejt gjërave te reja. Kjo është më e rëndësishme", - vlerësoi Berisha.
***
Një nga të pranishmit, nga Portugalia i tha Berishës se "unë e di se çdo të thotë Evropa për ne dhe mendoj se Shqipëria ka të njëjtën vizion. Këtu ai shtroi pyetjen se çfarë mund të marrë Shqipëria nga vullneti i të gjithëve ne këtu nga projekti Evropian?"
Përgjigjja e Berishës ishte e gjatë dhe analitike: "Shqiptarët janë ndër popujt më të vjetër të kontinentit. Unë mendoj se kultura e tyre, që është vetë identiteti i shqiptarëve, do ta pasurojë kulturën evropiane sapo Evropa ta njohë më mirë atë. Ne jemi edhe një komb me tre besime kryesore: muslimanë, katolikë, ortodoksë. Por, jemi është një komb me një tolerancë të shkëlqyer fetare. Ne jemi vendi ku besimet janë me të vërtetë ne tolerancë të përkryer. Ky komb nuk ka pasur asnjë incident fetar, veç tolerancë dhe mirëkuptim. Së dyti, sekularizmi është një trashëgimi e madhe. Shikoni flamurin. Flamuri shqiptar është më I vjetri në Evropë. Origjina e tij është në kohën kristiane të vendit tim. Dhe pas shekuj të tërë pushtimi Osman, flamuri jonë u zbulua në një bibliotekë të Parisit. Është një flamur i bekuar me shqiponjë. Flamuri përmban një mesazh të fortë për Evropën. Shikoni numrin e hebrenjve të cilët pas përfundimit të Luftës ishin më shumë se në fillim të saj. Shqiptarët nuk dorëzuan asnjë hebre. Ata u mbrojtën plotësisht bazuar në një traditë të vjetër shqiptare: Shqiptari asnjëherë nuk mund ta dorëzojë mikun. Dhe kështu shqiptarët mbrojtën hebrenjtë dhe numri i tyre ishte më i madh në fund të luftës se në fillim të saj. Ka gjithashtu disa produkte që Shqipëria mund t'i japë Evropës në aspektin moral dhe kulturës. Por, ne i japim shumë më tepër BE-së dhe mendoj se BE ka nevojë. 95% e shqiptarëve preferojnë të jenë pjesë e Evropës dhe t'i japin një energji të re asaj".
e.l/NOA