English

Bregu: Dalja në rrugë nuk mund të ngadhënjejë kurrsesi mbi integrimin

"Përgatitjet e Pyetësorit të KE-së", këqyret përvoja kroate në plotësimin e pyetësorit

Tiranë, 5 Dhjetor NOA Përmbledhje - "Dalja në rrugë nuk mund të ngadhënjejë kurrsesi mbi procesin e integrimit që ecën pikërisht këtu, në tryezat e punës".

Ky ishte vlerësimi që bëri sot Ministrja e Integrimit, në takimin e nivelit të lartë "Përgatitjet e Pyetësorit të KE-së".

Ky ishte një aktivitet i organizuar nga ministria e Integrimit, me fokus eksperiencën kroate në plotësimin e pyetësorit që pritet të mbërrijë së shpejti në Shqipëri.

E pyetur lidhur me protestat e opozitës ministrja Bregu tha se "ato nuk kanë ndryshuar asgjë në vendimmarrjen politike të BE, pasi kanë qenë pikërisht institucionet ndërkombëtare që kanë çertifikuar procesin zgjedhor në Shqipëri".

***

Përveç ministres së Integrimit Majlinda Bregu në këtë takim merrnin pjesë zv/kryeministri Ilir Meta, disa ministra të kabinetit qeveritar, kryenegociatori kroat, z. Vladimir Drobnjak, përfaqësues të institucioneve të pavarura në vend, ekspertë dhe koordinatorë të grupeve ndër-institucionale.

Në fjalën e saj në këtë takim, znj. Bregu falënderoi z. Drobnjak për gatishmërinë e tij për të ndarë eksperiencën kroate në plotësimin e pyetësorit dhe njohu të pranishmit me përgatitjet që ka bërë Ministria e Integrimit, si institucioni drejtues dhe koordinues i procesit, për përfshirjen e personave përgjegjës dhe përcaktimin e afateve kohore për përmbushjen e çdo detyre të veçantë që lidhet me pyetësorin.

Ministrja veçoi si element të rëndësishëm përcaktimin e strukturës organizative për plotësimin e Pyetësorit, duke marrë parasysh se në këtë proces do të përfshihen 45 ministri dhe institucione në varësi të tyre, institucione të tjera qendrore dhe të pavarura duke përfshirë mbi 400 nëpunës civilë.

Bregu informoi pjesëmarrësit edhe mbi parapërgatitjet për procesin e përkthimit.

"Është përgatitur glosari i MSA-së, është në proces publikimi glosari i institucioneve dhe programeve të Bashkimit Evropian; është finalizuar manuali i përkthimit të legjislacionit shqiptar në gjuhën angleze", - informoi ministrja

Bregu sqaroi se ky manual publikohet javën që vjen, kanë përfunduar procedurat për përzgjedhjen e përkthyesve dhe po zhvillohen trajnimet e tyre.

E pyetur nga gazetarët për afatin e plotësimit të pyetësorit, ministrja tha se më i rëndësishëm se afati është marrja me seriozitet e përgatitjeve për këtë proces.

"Kryefjala e fjalisë është cilësia, pastaj shpejtësia. Çdo nëpunës që do të merret me plotësimin e pyetësorit, duhet të kuptojë se është shumë i rëndësishëm kontributi personal, përveçse ai politik në mënyrë që të hedhim hapa cilësorë dhe të shpejtë. Synimi ynë është të bëhemi anëtarë dinjitozë të BE-së", tha znj. Bregu.

***

Në pjesën e dytë të takimit diskutimi u përqendrua tek fushat kryesore të plotësimit të pyetësorit, kriterin politik për të cilin referoi z. Drobjak, dhe pyetjet drejtuar përfaqësuesve të grupeve të punës.

Ekspertit kroat për kriterin ekonomik, Z. Sinisa Petroviç, lidhur me përvojën kroate për plotësimin e pyetjeve të fushës së tregut të brendshëm, konkurrencës, etj., si dhe znj. Ruzica Gelo, ekspertes për fushën e detyrimeve të anëtarësimit që solli përvojën kroate në fushën e bujqësisë, zhvillimit rural, sigurisë ushqimore, mbrojtjes së konsumatorit, etj. ***

Duke iu referuar edhe përvojës kroate në plotësimin e pyetësorit, z. Drobnjak e vlerësoi si shumë të vështirë këtë proces, pasi kërkon shumë angazhim, përgatitje dhe ekspertizë.

"Plotësimi i pyetësorit është një proces më i vështirë nga sa mund ta mendoni, megjithatë, duke parë përgatitjet tuaja, mund të them se i keni të gjitha mundësitë t'ia dilni mbanë në kohën e duhur. Ju duhet përgatitje e mirë në nivel ekspertësh sepse ky proces është logjistik, diplomatik, teknik dhe politik", - tha z. Drobnjak duke ofruar gjithë ndihmën e Kroacisë nëse do të jetë e nevojshme, për këtë fazë të procesit të integrimit të Shqipërisë.

e.l/a.a/NOA

KOMENTE