Tiranë, 5 Dhjetor NOA/Përmbledhje dhe foto Update - Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama në protestën e sotme vuri në dukje se mbrëmë, 18 punëtorë të Bashkisë së Tiranës, u shoqëruan nga policia nën dyshimet se po përgatitnin hedhje plehrash nëpër Tiranë.
"Policia e Shtetit hyri natën në vendin e tyre të punës, në fushën e mbeturinave në Sharrë, pa asnjë të drejtë e asnjë mandat dhe i futi këta shërbëtorë të qytetit, në furgona, drejt e në rajonin e Policisë", - tha Rama duke transmetuar versionin e tij të ngjarjes.
"Po çfarë po bënin në fakt mbrëmë, punëtorët e Bashkisë që u shoqëruan në polici? Po rrëmisnin mbeturina në thasë plastikë, për dekorin e këtij mitingu, një dekor simbolik, i cili ishte një ide e propozuar nga vetë punëtorët, nga vetë ata njerëz që sot kërcënohen me bukën e tyre të gojës, me vendin e tyre të punës, ashtu siç kërcënohet edhe shërbimi i pastrimit në Tiranë, Fier, Vlorë, Pukë, Korçë, Gjirokastër, Pogradec, Durrës e kudo ku drejtojnë kryebashkiakët e opozitës".
Në vazhdim, kryebashkiaku i Tiranës vuri në dukje edhe se para pak javësh u ndalua nga policia, Inspektori i Ndërtimit i Bashkisë së Tiranës, "që me të drejtën e ligjit kërkonte të dinte kush dhe me urdhër të kujt spostoheshin në qendër të qytetit qindra trupa policore e fadroma që ndërhynë në një pronë private në mes të Tiranës, pa asnjë leje nga institucioni i vetëm, që me ligj e jep lejen për ndërhyrje në territorin e Bashkisë së Tiranës".
Duke paralelizuar me shoqërimet e mbrëmshme, Rama tha se këto janë "rrjedhë ngjarjesh politike që e kanë çuar Shqipërinë në një zgrip të patolerueshëm, për shkak të tërbimit antidemokratik e antiligjor të Kryeministrit të vendit dhe një pushteti që e ka bërë shtetin leckë, në duart e veta".
Sipas Ramës, bashkia e Tiranës është shpallur nga Kryeministëri, si foleja e kupolës mafioze të Shqipërisë.
Më tej Rama sqaroi se "jemi këtu, jo për të matur forcat apo për t'u numëruar përballë një force kundërshtare njerëzish, por jemi këtu si shërbëtorë të komuniteteve, si nëpunës civilë e punëtorë të qyteteve e komunave që për herë të parë pas disa vitesh, rrugës për të mbërritur në vendin e protestës së tyre qytetare, takohen me Policinë, ndeshen me harbutërinë, përballen me kafshërinë e këtij pushteti i cili keqpërdor policinë e këtij shteti".
Thirrje policisë
Në fjalën e tij mbajtur para kryeministrisë, siç e shihni dhe në foto, Rama i bëri thirrje Policisë së Shtetit: "Mos zbatoni asnjë urdhër të paligjshëm; Mos u bëni vegla të një pushteti që ka marrë fund dhe për të mos deklaruar fundin e vet, është gati t'i marrë të gjithë me vete".
Rama madje i kujtoi forcave policore, "uniformën që kanë mbajtur shokët tuaj të vrarë", duke kërkuar që t'i nderojnë ata.
Kërkesat
- Në vijim, Rama ka shpallur edhe kërkesat eë lidhura drejtpërdrejt me përgatitjen e buxhetit të shtetit për vitin e ardhshëm që tha se duhet të realizohen medoemos:
Anulimi i amendamentit të majit 2009, në ligjin bazë të taksave e tarifave vendore ku qeveria, në rrugë antikushtetuese ndërhyri direkt në përcaktimin e nivelit të tarifave, ndërhyrje e pangjashme me asnjë qeveri në Europë. Një Kryeministër që i lejon vetes të vendosë edhe sa të paguhet, për një tavolinë të vendosur jashtë derës së kafenesë.
- Anulimi i vendimit të tetorit 2009, që në kulmin e krizës ekonomike, bizneset e vogla me xhiro nga 5 në 8 milionë, i trajton si biznese të mëdha, që futen në një skemë detyrimesh tatimore, të papërballueshme për ta, duke i çuar masivisht drejt falimentimit dhe duke i dhënë një goditje të papërballueshme edhe buxheteve vendore, që mbahen në radhë të parë me kontributet e biznesit të vogël.
- T'i jepet fund praktikës korruptive jo europiane klienteliste e partiake të granteve konkurruese, për nevojat e funksionet bazë të njësive vendore dhe pjesa e buxhetit të shtetit, për njësitë vendore, të ndahet në bazë të një formule bashkëkohore kriteresh objektive, ku të gjitha bashkitë e komunat të marrin atë që u takon, pavarësisht nga ngjyra e tyre politike.
- Të aplikohen më në fund taksat e ndara, ashtu siç e përcakton ligji Organik i qeverisjes vendore, këtu e dhjetë vjet më parë, lidhur me tatimin mbi të ardhurat personale dhe tatimin mbi fitimin e kompanive.
Në përfundim, Rama siguroi se "ne jo vetëm nuk e lëmë në mes këtë betejë, por do e çojmë deri në fund, me të gjitha forcat e mjetet".
r.b/e.r/NOA