English

Gjuha e urrejtjes nuk çon askund

Instalimi i gjuhës së urrejtjes që po vërejmë sidomos pas mitingut të 20 nëntorit të opozitës, përbën një zhvillim dëshpërues dhe preokupant për demokracinë shqiptare. Kjo dhunë verbale ka qenë jo rrallë në këtë vend paradhoma e një tjetër dhune, shumë më të përhapur, konkrete dhe të rrezikshme

Nga Skënder Minxhozi

Në një dalje të pak ditëve më parë, zëdhënësja e partisë në pushtet, duke i dhënë përgjigje një deklarate të opozitës, u shpreh: "Në përgjigje të klizmës së sotme të opozitës...". Pa thonjëza, pa mbajtje goje apo figuracion të tërthortë. E gjitha para kamerave dhe para qindra-mijë shqiptarëve që presin të etur ndonjë llaf të mençur nga goja e politikës. E vështirë të gjendet një frazë më banale në gojën e një zonjushe e mbi të gjitha të një zëdhënëseje partie. Aq më tepër, e partisë në pushtet.

Vetëm pak ditë pas saj, kryeministri tha se do merrte darët dhe do t'i shkulte dhëmbët asaj që ai e cilësoi si mafien puniste. Pra, me fjalë të tjera, opozitën që ka përballë. Edhe kjo frazë, nga ana stilistikore më pak banale dhe vulgare se e para, është gjithaq e rëndë dhe e paprecedent për gojën e një kryeministri të një vendi anëtar të NATO-s. Meqë ra fjala për NATO-n - a nuk e keni vënë re se, sapo kemi vënë këmbën në Aleancën e Veriut, kemi habitur të madh e të vogël? Në prag të hyrjes shpërthyem nja 700 tonë tritol mu në mes të Shqipërisë. Zhvilluam zgjedhje një vit më pas dhe ende pesë muaj pas datës së zgjedhjeve vendi nuk qetësohet (Kosova ndërkaq ka votuar dhe brenda 48 orëve e ka mbyllur kapitullin e votimeve).

Që t'i kthehemi problemit të gjuhës, kryeministri ka marrë flakëhedhësen në krah dhe po jep shembullin se si mund të prishen të gjitha urat e komunikimit mes pozitës dhe opozitës. Prej tij po mësojnë dhe të tjerët rreth tij, nga kryetarja e Kuvendit e deri te deputetët e thjeshtë. Një zyrtar i lartë shtetëror del në debat me një kryetar partie të opozitës dhe nis t'i numërojë atij me radhë të gjithë emrat e prindërve të opozitës. Është pak të thuash se kjo është një mënyrë vulgare e të bërit politikë. Kjo në fakt është një bjerrje totale e gjithçkaje normale dhe etike që duhet të ekzistojë mes palëve në një demokraci sadopak të pranueshme.

Prej kohësh në ambientin mediatik qarkullon një tezë, sipas së cilës periudha aktuale e qeverisjes së zotit Berisha shënon një ndryshim cilësor, krahasuar me kohën kur ai ishte president. Pra, nuk kemi një Berishë, por dy të tillë. Njërin, kryetarin autoritar të shtetit në vitet '90, i cili ndërtonte një qeverisje të dhunshme, ku gazetarët burgoseshin dhe gazetat digjeshin, dhe të dytin, këtë të sotmin, ku më shumë sesa autoritarin e dikurshëm, kemi një lloj babaxhani politik që udhëheq me dredhi e eksperiencë, më shumë sesa me imponim dhe frikësim të kundërshtarit.

Kjo që po shohim i hedh poshtë të gjitha këto teza. Kryeministri "stomatolog" që kemi mes nesh nuk ka asnjë ndryshim, sado të vogël, nga presidenti i dikurshëm që rrihte opozitën në shesh dhe lejonte piramidat mashtruese. Sepse vërtet shkalla e sotme e dhunës nuk është ajo e Shqipërisë së egër të viteve '90, por duhet të marrim parasysh që edhe vetë Shqipëria ka ndryshuar jashtëzakonisht shumë në këto vite, në mentalitete dhe në zhvillim.

Instalimi i gjuhës së urrejtjes që po vërejmë sidomos pas mitingut të 20 nëntorit të opozitës, përbën një zhvillim dëshpërues dhe preokupant për demokracinë shqiptare. Kjo dhunë verbale ka qenë jo rrallë në këtë vend paradhoma e një tjetër dhune, shumë më të përhapur, konkrete dhe të rrezikshme. Shqipëria nuk ka nevojë të futet në një tunel tjetër dhune, boll ka qëndruar brenda tij gjatë pjesës më të madhe të dekadës së shkuar. Rikthimi në atë kohë të errët i prish punë të gjithëve. Më së pari atyre që sot kanë shtetin në dorë.

KOMENTE