English

Inspektorati Shtetëror: Karburantet në Shqipëri, jashtë çdo standardi

Drejtori i Inspektoratit, nuk bëri të ditur se ku janë këto pika karburanti që tregtojnë me një cilësi të dobët, në mënyrë që të mbrohet konsumatori

Nga Rajmonda Lajthia

Tiranë, 5 Dhjetor NOA - Ministria e Ekonomisë deklaroi sot se pas një kontrolli në pikat e karburantit u evidentua se cilësia ishte jashtë standardit të lejuar.

Kontrolli i nisur nga Inspektorati Qendror Teknik gjatë muajit nëntor dhe deri tani në ditët e para të dhjetorit, ka konkluduar me vendosjen e 100 gjobave.

Sipas drejtorit të këtij inspektorati, Virgjil Joti, subjektet me probleme cilësie janë vërejtur në Tiranë, Lezhë, Fier dhe Gjirokastër.

"15 subjekte janë evidentuar me shkelje dokumentacioni por duhet thënë se ata kanë shitur karburant jashtë standardit", - tha Virgjil Joti duke folur me agjencinë NOA.

Sipas Jotit, në bazë të ligjit janë vendosur gjoba maksimale për këto subjekte.

Por drejtori nuk bëri të ditur se ku janë këto pika karburanti që tregtojnë me një cilësi të dobët, në mënyrë që të mbrohet konsumatori.

Inspektorati i bëri apel bizneseve që të mos mbushin bombola gazi në pikat e tregtimit të karburanteve, pasi do të ndëshkohen.

Sipas drejtorit Joti, kontrolli i inspektoratit do të përqendrohet pikerisht në këtë fushë.

r.l/e.r/NOA - rajmonda.lajthia@noa.al

KOMENTE