English

Këshilltarët e PD në bashkinë e Tiranës dënojnë hedhjen e plehrave në kryeqytet

Tiranë, 5 Dhjetor NOA - Grupi i këshilltarëve të Partisë Demokratike në Këshillin e Bashkisë Tiranë, reagoi sot për plehrat që flakën në rrugët e kryeqytetit, punonjës të bashkisë, në shenjë proteste ndaj qeverisë dhe planeve të saj fiskale.

Ferdinand Poni duke folur në emër të këshilltarëve demokratë, tha se dënonte "veprimin e çmendur e të papërgjegjshëm të hedhjes nga Edi Rama të plehrave tek Ura e Lanës".

Poni e konsideroi si një akt të paprecedentë, "papërgjegjshmërie dhe çmendurie" dhe tha se qytetarët dhe qyteti i Tiranës, kanë parë dhe prekur dje rrezikun që i kanoset nga Edi Rama, nga ky i çmendur e psikopat i ç'ekuilibruar".

"Ai, - vijoi Poni, në një gjendje mendore dhe emocionale të çekuilibruar e rënduar, nën spazma psikopatie dhe skizofrenie të theksuara, tentoi të ndoste me dashje qytetin, të shkatërrojë qytetin, të infektojë dhe shkatërrojë qytetin duke zbrazur plehrat tek Ura e Lanës.

"Ky njeri shoqërisht i rrezikshëm, ky psikopat i rrezikshëm, që u merr qytetarëve të Tiranes tre here me shume taksa apo tarifa pastrimi nga sa duhet edhe për një shërbim normal pastrimi, tani në krizat e tij të skizofrenisë po i jep shenja të thyerësit te rrezikshëm të ligjit, të dëmtuesit me dashje të interesit publik, të dëmtuesit e shkatërruesit me dashje të shëndetit publik të qytetarëve".

"Ai, psikopatia e tij, veprimet e tij ne kundërshtim flagrant me ligjin, përbëjnë rrezikun eminent të paligjshmërisë dhe rrezikshmërisë. Ky akt është i patolerueshëm dhe si i tille duhet të trajtohet nga të gjithë qytetarët e institucionet e tyre", - vijoi Poni deklaratën e tij të ashpër.

Nga ana tjetër, Poni lajmëroi se Grupi i Këshilltarëve të Partisë Demokratike në Bashkinë e Tiranes do të kërkojë urgjent shkarkimin edhe de jure të Edi Ramës nga funksioni i kryetarit të Bashkisë.

"Funksioni i kryetarit të një bashkie, aq më tepër të kryeqytetit është totalisht i papajtueshëm me sjelljet dhe veprimet prej psikopati e skizofreni që demonstron rrezikshëm Edi Rama, në shpërthimet e tij antiligjore, shoqërisht të rrezikshme, mendërisht dhe moralisht te pakontrolluara dhe qe si të tilla duhen trajtuar me rigorozitetin maksimal", - përfundoi z.Poni.

e.r/e.l/NOA

KOMENTE