Shkup, 5 dhjetor, NOA - Me mijëra shqiptarë dhe familje shqiptare në Maqedoni vazhdojnë të përballen me problemin e mosposedimit të shtetësisë, pasi MPB ka vendosur në mënyrë diskrecionale të mbyllë dosjen e shtetësive për shqiptarët.
Ditëve të fundit në disa media maqedonase, duke përfshirë edhe "Nova Makedonija" me një shkrim të saj me titull "Vështirë do ta kenë kosovarët për pasaportat maqedonase", Ministria e Punëve të Brendshme është deklaruar se është e zgjuar sa i përket problemit të shtetësive për shqiptarët dhe se ska shanse që ndonjë siç theksohet nga ta se "ndonjë kosovar" mund të përfitojë shtetësinë e Maqedonisë. Me këtë veprim, MPB tenton që të gjithë shqiptarët autoktonë me dekada të tëra në Maqedoni ti etiketojë si banorë të Kosovës, edhe pse të njëjtit nuk kanë asnjë pronë apo të drejtë të dokumentacioneve në Kosovë.
Edhe në fazën e dytë të projektit të MPB-së dhe UNDP-së për të ndihmuar qytetarët pa shtetësi dhe dokumente personale, krerët e këtyre institucioneve janë fokusuar se me këto probleme ballafaqohen vetëm romët, ashkalinjtë dhe egjiptasit, ndërsa ministrja Jankullovska deklaroi se për shqiptarët kjo çështje është mbyllur në vitin 2005. Ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit të Shtetësisë në vitin 2004 nga partnerët e koalicionit BDI dhe LSDM sërish krijuan paqartësi dhe nuk përmbyllën çështjen e problemit të shtetësisë për shqiptarët. Ky ligj vështirësoi tej mase problemin sepse kishte limite se deri kur të gjithë qytetarët e ish-republikave jugosllave që kanë pasur vendqëndrim në Maqedoni duhej të aplikonin për të drejtën e shtetësisë.
Kështu, pa ndonjë fushatë alarmuese dhe me këtë ligj të gjymtuar, mbetën sërish pa shtetësi mijëra familje shqiptare. Sot e kësaj dite kemi familje që edhe përkundër vendbanimit dhe pranisë mbi 60-vjeçare në Maqedoni, nuk posedon të drejtën e shtetësisë.
Familja shtatë anëtarshe e Remzije.R nga Kumanova, me vendbanim mbi 40 vjet, ende nuk disponon me dokumentin e shtetësisë. Ajo thotë se me vdekjen e burrit të saj gjatë vitit 1996 të gjithë fëmijët kanë ngelur pa këtë dokument dhe se hallet e kësaj familje janë të rënda nën ethet e varfërisë.
"Nuk kemi çka të bëjmë. Sikur të mos ekzistojmë. Të gjithë fëmijët i kam të vegjël dhe për çdo sëmundje, për shkak të mungesës së sigurimit, vështirë përballojmë kushtet e rënda ", rrëfen nëna Remzije.
Edhe dy vëllezërit Hasani gjithashtu evidentohen pa shtetësi dhe për gati 15 vite orvaten në forma të ndryshme për të marrë këtë dokument, për shkak se janë mbi 6 dekada në Maqedoni. Ata për shkak të problemeve të udhëtimit së fundi janë detyruar të marrin pasaporta zvicerane, për shkak të vendqëndrimit të përkohshëm atje. Në fshatin Sopot të Kumanovës, shumica e banorëve shqiptarë të këtij fshati që janë me vendbanim të përhershëm nuk posedojnë shtetësinë, sepse konsiderohen si të ardhur, edhe përkundër faktit se në Maqedoni janë me dekada të tëra. Politika i sheh me sy ndryshe këto probleme, derisa BDI pretendon se ka zgjidhur problemin e shtetësisë qysh në qeverisjen e parë pas luftës, PDSH ka njoftuar se mbi 50 mijë shqiptarë e më shumë nuk posedojnë këtë të drejtë, duke marrë shifrat e atyre që kanë ngelur të braktisur brenda dhe jashtë shtetit. Organizata joqeveritare OBREI në Kumanovë ka theksuar se do të merret me trajtimin e këtyre problematikave dhe me një fushatë ndërkombëtare duke dërguar peticion pranë BE-së për të shqyrtuar legjislacionin dhe mijëra rastet që duhet të regjistrohen sërish se sa është numri i të gjithë atyre pa shtetësi.
Kurthi dhe labirinthet institucionale për shqiptarët?
MPB vite me radhë ka ushtruar dhe ka imponuar kushte të ndryshme speciale për të ardhur deri tek shtetësia e Maqedonisë dhe këto rregulla kryesisht kanë qenë të pamëshirshme për shqiptarët. Nëpër lagjet e Shkupit, në Kumanovë, Likovë, Tetovë, Gostivar e gjetiu janë me qindra shqiptarë që nuk posedojnë shtetësinë.
Këtyre qytetarëve fillimisht i është kërkuar që të aplikojnë dhe pastaj procedurat e tyre janë vonuar me vite të tëra. Por, njëkohësisht, MPB këtyre personave menjëherë me aplikimin e bërë, i ka konfiskuar letërnjoftimet e vjetra qysh nga viti 1994. Pas shumë vite pritjesh dhe ankesave të bëra, e dëmeve të shkaktuara financiare dhe krimin e organizuar që vepronte mes avokatëve dhe nëpunësve policor, shqiptari i gjorë humb shpresat dhe jeton në izolim total. Ky skenar ka vijuar në heshtje me vite të tëra. Përgjigja e vazhdueshme ka qenë se në bazë të nenit të famshëm 7 "personi konsiderohet i rrezikshëm" dhe është e drejtë e Drejtorisë së Sigurimit Shtetëror të mos jap sqarime dhe arsyetime.
NOA-INA