Tiranë, 5 Dhjetor NOA - Shtypi i përditshëm botoi faksimilen e proces verbalit origjinal të gjyqit në qershor 2000, në të cilin znj.Matilda Makoçi padit përsëri Edvin Kristaq Ramën, pasi "ai jo për 9 ditë, as për 9 javë, as për 9 muaj, por për 9 vjet rresht i kishte mohuar djalit të tij si atësinë ashtu edhe kafshatën e gojës".
Këtë evidentoi sot Erla Mëhilli, zëdhënëse e Partisë Demokratike në një dalje para pak minutash për mediat, ku theksoi se "këto dokumente për t'ia u rikujtuar i ka botuar për herë të parë në fletushkën e tij ndihmësi i tij aktual kryesor sot, Ymer Baze".
Duke komentuar dosjen e divorcit "Rama" dhe lidhur atë me karrierën politike të kryetarit të PS, Mëhilli vlerësoi se "është shumë i hidhur fakti se tortura, poshtërimi, dhuna ndaj viktimave të këtij procesi, ka marrë fund vetëm në vigjilje të fushatës elektorale të viti 2000, kur Edvin Kristaq Rama vendosi të kandidonte për Kryeplak të Bashkisë së Tiranës".
Vetëm atëherë, aspak i penduar por thjesht i kalkuluar, vetëm për shkaqe elektorale Edvin Kristaq Rama detyrohet të pranojë atësinë, dhe së bashku me të edhe kafshatën e gojës, fëmijës së tij që për 9 vite rresht, e përbuzi në dyert e gjykatave së bashku të ëmën, madje duke refuzuar edhe analizën e AND-së të kërkuar nga Gjykata për të faktuar këtë pretendimin e tij se fëmijën e kishte me të atin (pra me të atin e vetë Ramës), - ka vazhduar Mëhilli, duke mos kursyer gjuhën e ashpër për jetën private të Ramës, e nisur dhjetë ditë më parë nga kryeministri i vendit.
Në avancim të deklaratës, Mëhilli shtroi pyetje për nënat, gratë dhe baballarët shqiptarë, duke kërkuar mendimin e tyre për "faktin" se "cili është ai njëri që për 9 vjet rresht i mohon djalit të tij atësinë dhe kafshatën e gojës duke e pranuar vetëm pas 9 vjetësh, për shkak të fushatës elektorale dhe vetëm për leverdi politike?".
Ndërsa në përfundim, deklarata e Mëhillit u përmbyll me fjalët: "A mundeni ju të besoni se ky zotëri që mohon pa asnjë bazë, mbasi refuzoi edhe analizën e vërtetësisë, atësinë dhe kafshatën e gojës djalit të tij do të mund të ketë dashuri, dhembshuri dhe kujdes për fëmijët tuaj dhe fëmijët e shqiptarëve?"
e.r/NOA