English

Policia e Tiranës shpjegon pse ndërhyri në protestën e bashkive socialiste

Tiranë, 5 Dhjetor NOA - Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, doli me një shpjegim publik sot në lidhje me incidentet që u krijuan gjatë ditës ndërsa zhvillohej protesta e kërkuar nga Bashkia e Tiranës, e përqendruar në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", përballë godinës së Kryeministrisë.

Lidhur me zhvillimin e kësaj proteste, fillimisht theksohet se "Strukturat e Policisë së Shtetit, kanë zbatuar me rigorozitet të gjitha dispozitat ligjore të parashikuara në ligjin "Për Tubimet" si dhe në të gjithë praktikën e këtij tubimi, ka zbatuar kërkesat e parashtruara nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës, në njoftimin Nr. 10316 datë 02 dhjetor 2009, e dërguar për këtë qëllim".

Por policia vëren se përpara dhe gjatë zhvillimit të tubimit, ka patur përpjekje që në vendin e tubimit të futen qese jo transparente dhe sende të tjera të ndaluara.

Me qëllim, sigurimin e zhvillimin normal të këtij tubimi, policia pranoi se ka penguar që në vendin e tubimit të futen qese jo transparente, ne të cilat mund të kishte sende që mund të shkaktojnë dëm për jetën dhe shëndetin e të tjerëve.

Policia sqaroi juridikisht se këto veprime të saj mbështeten në paragrafin e dytë të nenin 18 të ligjit për "Për Tubimet", në të cilin përcaktohet se "organizatori, drejtuesit, personat ndihmës dhe pjesëmarrësit në një tubim, ndalohen të mbajnë mjete ose instrumente të cilat gjatë përdorimit të tyre, mund të shkaktojnë dëm, për jetën e shëndetin e të tjerëve. Përjashtohen nga ky detyrim flamujt dhe pankartat".

Një pjesë e këtyre qeseve jotransparente, të cilat u bllokuan nga policia po u nënshtrohen kontrolleve të specializuara, për të përcaktuar nëse përmbajnë sende të rrezikshme për jetën dhe shëndetit e të tjerëve.

e.r/NOA

KOMENTE